Maqedoni
Kalon afati për zgjedhjen e ministrave të rinj
20.10.2015 17:06
Katër partitë politike, nënshkruese të Marrëveshjes së dy qershorit dhe Protokollit të 15 korrikut, shkelin afatin edhe për riformatimin e Qeverisë...

Ndryshimeve në përbërjen e kabinetit qeveritar duhej t’u paraprijë ndryshimi i Ligjit për Qeveri, mirëpo një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.
Konformë protokollit të Marrëveshjes së dy qershorit, Kuvendi sot duhej të zgjedhë dy ministra dhe pesë zëvendësministra të rinj, përkatësisht ministrin e ri të Punëve të Brendshme me propozim të LSDM-së dhe ministrin e ri të Punës dhe Çështjeve Sociale, po ashtu me propozim të LSDM-së.
Ndërkaq, me propozim të VMRO-DPMNE-së do të duhej të ishin zgjedhë zëvendësministrat në dy ministritë e lartpërmendura.
Edhe Ministria e Financave, ajo e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave dhe Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, nga sot duhej të kenë zëvendësministra të ri të propozuar nga LSDM-ja.
Konformë marrëveshjes politike këto zëvendësministra parashihet të kenë të drejtën e plotë të rishikimit dhe të vetos në ministritë e tyre përkatëse në të gjitha çështjet ligjore, financiare dhe të personelit në lidhje me organizimin e zgjedhjeve.
Dy ministrat e rinj dhe pesë zëvendësministrat do të mbeten në pozicionet e tyre në qeverinë e re, e cila duhet të jep betimin më 15 janar të vitit 2016, 100 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, me program të limituar vetëm për organizimin e zgjedhjeve të parlamentare.
Të njëjtin fat ka pësuar edhe Kodi Zgjedhor, edhe pse sipas përfaqësuesve të partive politike kjo çështje është mbyllur dhe duhej të futet në procedurë parlamentare.
Jozyrtarisht mësohet se Kodi Zgjedhor ka mbetur peng i zbatimit të marrëveshjes për kompletimin e skuadrës së prokurores speciale.
Përkundër thirrjes së partive politike, Këshilli i Prokurorëve Publikë as sot nuk vendosi nëse do të zgjedhë 7 ndihmësit e mbetur të Katica Janevës.
SHPËTIM NUREDINI
