Maqedoni

Kriza politike, analistët: Marrëveshja do të implementohet

20.10.2015 17:16

Maqedonia nuk ka alternativë tjetër përpos zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinës, vlerësojnë analistët politik pas dështimit të përpjekjeve të komisarit, Johanes Hahn, për të zhbllokuar krizën politike...

Analisti, Albert Musliu, thotë se kjo bllokadë do të tejkalohet, pasi në të kundërtën Maqedonia mund të ndeshet me skenare të paparashikuar. 
 
“Besoj se do të tejkalohet dhe se nuk vjen parasysh që Marrëveshja e Përzhinës të mos implementohet, ngase nëse ajo ndodhë, atëherë alternativat për Maqedoninë janë shumë më të këqija dhe hyjmë në një teren shumë të panjohur”- deklaroi analisti, Albert Musliu.
 
Sipas analistit, Lubomir Fërçkovski, këto skenare mund jenë të tipit izolim total të vendit dhe kolaps shoqëror.
 
“Mund të ketë izolim komplet të Maqedonisë, duke u tërhequr nga rruga euroatlantike, si dhe vënien në listën e zezë të politikanëve të cilët janë aktorë të kësaj krize. Kjo mund të shkaktonte kolaps të shoqërisë së vendit”- tha analisti, Lubomir Fërçkovski.
 
Analizat e Musliut dhe Fërçkovskit thonë se procesi i zbatimit të marrëveshjes politike nuk do të jetë i lehtë dhe i shpejtë, duke iu përmbajtur afateve.
 
Nuk do të mungojnë përplasjet e shumta midis palëve negociuese për të mbrojtur qëllimet e tyre. Presionet pritet të shtohen nga Brukseli zyrtar.
 
Analistët nuk përjashtojnë mundësinë edhe të ndërhyrjes amerikane. Kompletimi sa më shpejtë i Prokurorisë Speciale, formimi i qeverisë kalimtare me ministrat edhe zëvendësministrat e propozuar nga LSDM do të jenë pikat më të nxehta ku do të intervenohet.
 
MERAL ISMAILI