Maqedoni
PDSh: Buxheti është i pabalancuar; LSDM: PDSh të përkrahë edhe vendbanimet maqedonase
20.10.2015 17:52
Deputetët e PDSh-së në buxhetin për vitin 2016 kërkuan 60 milion denarë për infrastrukturë rrugore dhe ujësjellës në Matkë...

Sipas PDSh-së, shqiptarët çdo vit mbushin buxhetin me rreth 1 miliard euro dhe nuk marrin asnjë për qind nga i njëjti.
Ata akuzuan se bëhet fjalë për buxhet të pabalancuar dhe përmes tij plotësohen vetëm nevojat e maqedonasve.
Dy amendamentet e propozuara, që kishin të bëjnë me plotësimin e nevojave infrastrukturore, ministri i Financave, Zoran Stavrevski, nuk i pranoi.
“Matka, që vet zoti e ka falur aq të bukur, e pëson shumë keq, njëjtë siç e pëson Treska, parku në Saraj, liqeni i Likovës, Struga, Dibra vetëm se janë territore apo komuna ku janë të banuara me shumicë shqiptare”- deklaroi Bekim Fazliu nga PDSh.
Nga LSDM bënë të ditur se janë të vetëdijshëm për këto nevoja elementare të banorëve të Matkës dhe i përkrahin kërkesat e tyre, por kërkojnë nga PDSh përkrahje edhe kur kërkohen mjete për vendbanimet maqedonase.
“Ne si LSDM jemi të vetëdijshëm për nevojat e të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë, por unë do ju lus që ju të na përkrahni edhe kur kërkojmë mjete për Priporin, ashtu siç ne u përkrahim për Matkën, e cila është në hartën turistike dhe meriton vëmendjen e të gjithëve në këtë Kuvend”- tha Sofija Kunovska nga LSDM.
Në seancën e sotme u debatua edhe për zonën industriale në Krueshevë, ku deputetët e LSDM-së akuzuan se nuk ka investime, ndërkohë nga VMRO-DPMNE bënë të ditur se opozita mund t’i lexojë të gjitha projektet që janë realizuar dhe do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetesë së qytetarëve.
FLUTURA LATIFI
