Konferencë ndërkombëtare "Popullata e Ballkanit në prag të shekullit XXI"
Në organizim të Institutit ekonomik pranë Universitetit "Shën Cirili dhe Metodi" prej sot deri më 24 tetor në Ohër do të mbahet Konferenca e pestë ndërkombëtare për demografi të Ballkanit në temë "Popullata e Ballkanit në prag të shekullit XXI"....

Konferenca i dedikohet vlerësimit të situatës demografike të Ballkanit në fillim të shekullit XXI dhe trendet kryesore demografike si dhe të efekteve të tyre potenciale në afat të mesëm dhe të gjatë. Në konferencë do të marrin pjesë hulumtues nga sfera e demografisë nga shumë vende.
Në kuadër të pesë sesioneve të konferencës do të diskutohet për fertilitetin e ulët të Ballkanit dhe implikimet e tyre ndaj rritjes së popullatës dhe vjetërsimit demografik, mortalitetit dhe shëndetit të popullatës dhe migrimet e brendshme dhe të jashtme të popullatës së vendeve ballkanike. Tema në sesionet janë edhe vjetërsimi dhe ndryshimi në strukturën e familjeve edhe amvisërive dhe distribuimi hapësinor i popullatës në vendet ballkanike.
Në kuadër të konferencës është organizuar edhe punëtori në temë "Grumbullimi i të dhënave për popullatën në vendet ballkanike, përvoja nga regjistrimi i fundit të popullatës në vitin 2010: konceptet metodologjike, grumbullimi i të dhënave në teren, krahasimi i të dhënave dhe metodat për diseminim të të dhënave për popullatën". Në punëtori do të marrin pjesë përfaqësues të enteve për statistikë, organizata ndërkombëtare dhe shfrytëzues të të dhënave.
Pritet që kjo konferencë të ofrojë njohuri të reja nga hulumtimet në temat e theksuara dhe të japë kontribut të rëndësishëm në zbardhjen e çështjeve më të rëndësishme demografike të Ballkanit në shekullin XXI. (mia.mk)
