Botë
Assad, vizitë surprizë në Rusi, Putin: Po ofrojmë asistencë efektive
21.10.2015 10:07
Presidenti sirian, Bashar al-Assad ka zhvilluar bisedime me homologun e tij rus, Vladimir Putin, pas një vizite të panjoftuar më parë të kryer në Moskë...

Dy udhëheqësit e Rusisë dhe Sirisë kanë diskutuar mbi luftën kundër grupeve terroriste, vazhdimin e sulmeve ajrore ruse dhe planet që ka vetë Damasku për trupat e tij.
Rusia i nisi sulmet ajrore në Siri gjatë fundit të muajit të kaluar. Moska pretendon se po shënjestron objektivat e Shtetit Islamik dhe militantët e tjerë xhihadistë, që luftojnë kundër trupave qeveritare të Presidentit Assad.
Putini ka falënderuar Assadin për vizitën, pavarësisht “situatës dramatike” që ekziston në vendin e tij.
“Zgjidhja afatgjate e krizës në Siri , mund të arrihet në fund përmes procesit politik me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike, etnike dhe fetare. Në fund të fundit vendimi përfundimtar i takon popullit sirian. Siria është një vend mik dhe ne jemi të përgatitur për të kontribuar jo vetëm për të luftuar terrorizmin, por edhe për të zhvilluar procesin politik sigurisht në bashkëpunim të ngushtë me fuqitë e tjera politike dhe shtetet në rajon të cilët janë të interesuar për zgjidhje paqësore të problemit", tha Putin
Presidenti sirian Assad ka falënderuar Rusinë që po qëndron “krah unitetit të Sirisë dhe pavarësisë së saj”, duke shtuar se rebelët mund të kishin grabitur më shumë territore, nëse Moska nuk do të kishte ndërhyrë.
LEONORA KALIQI
