Kosova, sot në rendin e ditës së UNESCO-s
Bordi ekzekutiv i UNESCO-s do të votojë sot mbi rekomandimin për pranimin e Republikës së Kosovës në anëtarësinë e kësaj organizate...

Draft-rezoluta për rekomandimin për pranimin e Kosovës si anëtare më të re në UNESCO, është pika 43 e diskutimit në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s dhe pritet të shqyrtohet sot.
Për një vendim pozitiv nevojiten votat e shumicës së thjeshtë apo 51 për qind e votave, të 58 vendeve anëtare në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s. Prej tyre, 45 vende kanë votuar në favor të kërkesës që pranimi i Kosovës të jetë në agjendën e sotme.
Votimi eventual pozitiv për Kosovën do ta çonte çështjen në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO-s, e cila mbahet prej 3 deri më 18 nëntor.
Konferenca e përgjithshme UNESCO-s përbëhet nga 195 vende anëtare dhe për vendimin pozitiv për Kosovën, që do të ishte përfundimtar për pranimin në UNESCO nevojiten dy të tretat e votave.
