Këshilli i Prokurorëve sot duhet të mbajë mbledhje për ekipin e Janevës

21.10.2015 12:06

Pas anulimit të mbledhjes së djeshme, Këshilli i Prokurorëve ka caktuar mbledhje për sot në orën 11:30, ku do të diskutojnë për çështjen e ekipit të Prokurorisë Speciale, gjegjësisht për 7 prokurorët e pazgjedhur nga 14 të propozuarit e prokurores speciale, Katica Janeva...

Pas vendimit të Këshillit të Prokurorëve që ekipit të prokurores speciale, Katica Janeva, t’i pranohen vetëm 7 prokurorë nga 14 të propozuar, Katica Janeva ka deklaruar se ajo do të paraqesë prapë kërkesë që t’i kompletohet ekipi, ndërkaq prokurori shtetëror, Marko Zvërlevski, ka deklaruar se Prokuroria Speciale është e politizuar.

Nga ana tjetër, trysni ndaj Këshillit të Prokurorëve kanë bërë edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkaq para 3 ditëve partitë politike u dakorduan që të kërkojnë nga Këshilli i Prokurorëve që t’ia kompletojnë ekipin prokurores Janeva nëpërmjet një letre të përbashkët që ka dërguar ministri i Drejtësisë, Adnan Jashari.

Dje u desh që të betoheshin në mënyrë solemne 7 prokurorët e zgjedhur nga Këshilli i Prokurorëve, por më parë Katica Janeva kishte porositur që të mos betohen pa u kompletuar ekipi.