Maqedoni

Këshilli I Prokurorëve, Anevski: Nuk na interesojnë marrëveshjet politike

21.10.2015 14:42

Këshilli i Prokurorëve as gjatë ditës së sotme nuk ka kompletuar e as që ka vënë në rend dite shqyrtimin dhe zgjedhjen e ekipit të propozuar prej 14 prokurorëve nga prokurorja speciale, Katica Janeva...

Ata mbetën në qëndrimin se ekipi i zgjidhur prej shtatë prokurorëve është i mjaftueshëm në punën e prokurores speciale, e cila fillimisht numëron vetëm 28 lëndë.
 
“Vendim për numrin e prokurorëve miraton Këshilli i Prokurorëve, nëse rritet numri i lëndëve ne atëherë do të ndryshojmë këtë vendim”- tha kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski, duke shtuar se Këshilli është i pavarur dhe nuk punon me pika dhe rekomandime nga partitë politike.
 
“Ne nuk na intereson marrëveshja e partive politike, ajo është punë e tyre, ne veprojmë në mënyrë strikte, profesionale, sa prokurorë publikë, sa lëndë, tjetër gjë nuk na intereson. Si të bëjnë marrëveshje, ajo është punë e tyre, ne vendosim me parametra sa do të ketë punë dhe si do të vijojë ajo”- tha kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski.
 
Kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski, tha se Janeva nuk e ka dorëzuar listën për shtatë prokurorët e ri dhe nuk është arsyetuar se pse janë të patjetërsueshëm 14 prokurorë në Prokurorinë Speciale.   
 
“Dera për Katica Janevën në Këshillin e Prokurorëve është e hapur, në çdo kohë mund të vijë dhe të bisedojë që të gjendet një rrugëdalje nga kjo krizë. Mendoj se kjo nuk është krizë, por është obligim i Këshillit të Prokurorëve Publik dhe obligim i saj që të mos vijmë në situata të papërshtatshme”- theksoi kryetari i Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski.
 
Burim Rustemi, Elizabeta Josifovska, Lejla Kadriu, Lubomir Lape, Marija Gjorgjeva, Stevço Donev dhe Fatime Fetai janë pjesë e ekipit të prokurores speciale, ndërsa akoma mbetet e pasigurt nëse Këshilli i Prokurorëve do të zgjedhë edhe pjesën tjetër të ekipit prej 7 prokurorëve.
 
Kur do të mbahet seanca për të diskutuar dhe plotësuar ekipin e prokurores Janeva akoma mbetet e padefinuar.
 
Anëtarët e Këshillit deri më tani janë shprehur pozitiv rreth financave dhe kërkesave të tjera të Prokurorisë Speciale dhe pikë kontestuese mbetet numri i prokurorëve, ndërsa Janeva mbetet në qëndrimin se nuk do të dorëzohet deri në zgjedhjen e ekipit të saj.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI