Maqedoni

Rasti “Sopoti”, anulohet seanca, shtyhet për në nëntor

21.10.2015 14:58

Gjykata Penale në Shkup ka anuluar seancën e sotme gjyqësore për rastin e Sopotit, në të cilën duhej të dëshmojë dëshmitari, Ramadan Bajrami...

Gjykata Penale në Shkup ka anuluar seancën e sotme gjyqësore për rastin e Sopotit, në të cilën duhej të dëshmojë dëshmitari, Ramadan Bajrami, dhe më pas të merret vendim rreth kërkesës së avokatëve për ndarje të deklaratës së tij nga procesverbali.
 
Ramadani deri më tani ka dëshmuar disa herë rreth këtij rasti dhe njëherit kjo është dëshmia e vetme të cilën e posedon Prokuroria.
 
Sipas avokatëve mbrojtës, kjo dëshmi nuk duhet të merret parasysh, pasi është në kundërshtim me Ligjin për procedurë penale dhe Kushtetutën, pasi të gjitha të dhënat tregojnë se deklarata është thënë nën presion fizik dhe psikik dhe se i njëjti më pas e ka tërhequr të njëjtën.
 
Më herët, avokati mbrojtës, Naser Raufi, kishte thënë se anulimi i seancave gjyqësore për këtë rast ndodhë për shkak të prokurorit special, i cili duhet t’i trajtojë rastet që janë përfshirë në përgjimet e publikuara nga opozita.
 
Për pafajësinë e sopotasve u publikuan edhe disa biseda të përgjuara, në të cilat ish ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, dhe ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, pranojnë se të akuzuarit janë të pafajshëm. 
 
Pafajësia e sopotasve më herët është theksuar edhe në Komisionin Anketues për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut pranë Parlamentit. Seanca e radhës mbahet më 26 nëntor.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI