Maqedoni
DASh dhe KE me apel: Liderët të respektojnë marrëveshjet
21.10.2015 15:15
Departamenti Amerikan i Shtetit kërkon nga biseduesit që grupet punuese të vazhdojnë me implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës...

Gjithashtu kërkon nga partitë politike që të mos humbin kohë dhe t’i respektojnë afatet nga Marrëveshja e 15 korrikut, duke e cilësuar implementimin e plotë të marrëveshjes si mënyrë të vetme për dalje nga kriza politike.
“I inkurajojmë liderët politik që ta rrumbullaksojnë progresin që deri tani e arritën me implementimin e marrëveshjes politike nga 15 korriku i cili përfaqëson mënyrën më të mirë për dalje nga kriza dhe hapjen e rrugës për zgjedhje kredibile në vitin e ardhshëm. Partitë e lëshuan afatin kyç që të pajtohen rreth çështjeve serioze të krijimit të qeverisë, mbrojtjes së dëshmitarëve tregues të korrupsionit dhe mbrojtjes së privatësisë”- ka deklaruar zëdhënësi i DASh-it, Xhon Kirbi, në brifing me gazetarët.
DASh-i vlerëson hapin e bërë me emërimin e prokurores speciale, por thekson se prokurores duhet siguruar resurse dhe personel për të cilin ajo e cakton se sa i duhen.
Partitë politike nuk duhet që të tentojnë për të kryer ndikim ose ta pengojnë kryerjen e këtyre detyrave.
Shpresojmë se përderisa grupet punuese i vazhdojnë bisedimet, të gjitha palët e përfshira, interesat e shtetit do t’i vendosin në rend të parë, thuhet në porosinë e Departamentit të Shtetit.
Po ashtu edhe nga Komisioni Evropian me vëmendje të plotë po e përcjellin situatën politike në vend.
Nga Brukseli thonë se vendi po tregon imazh jo të lakmueshëm në sytë e Evropës dhe se gjithçka do të ndikojë negativisht në raport progres.
“Ne po i ndjekim zhvillimet për së afërmi. Pas gjithë asaj që po ndodhë, ne nxisim të gjitha partitë politike që të vazhdojnë me punën në implementimin e marrëveshjes”- thonë për TVM2 nga Komisionit Evropian.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
