Maqedoni

U hap çerdhja e parë në Komunën e Sarajit, 20 milion denarë investim, për 120 fëmijë

21.10.2015 15:52

Në Komunën e Sarajit u hap çerdhja e parë në kuadër të projektit qeveritar “Çerdhe për çdo lagje”...

Realizimi i këtij projekti ka kushtuar rreth 20 milionë denarë dhe është investim i përbashkët i Komunës së Sarajit, Qeverisë, e ndihmuar edhe nga organizatat humanitare.
 
Çerdhja e parë e hapur në Komunën e Sarajit i plotëson të gjitha standardet dhe ka kapacitet për akomodim të 120 fëmijëve, me hapësirë prej 700 metra katrorë. 
 
“Është objekt i parë për nevojat e qytetarëve, gjegjësisht një objekt edukativ, çerdhe për fëmijë. Qeveria bashkë me pushtetin vendor vazhdon me realizimin e projekteve në funksion të komunës, gjegjësisht të qytetarëve, për t’i plotësuar nevojat bazike”- deklaroi zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.
 
“Kjo është një hap shumë i rëndësishëm për ne si Komunë e Sarajit. Me hapjen e kësaj çerdhe dhe me kompletimin e  projekteve tjera, janë duke u realizuar në fakt, siç është ndërtimi i shkollës së mesme. Komuna e Sarajit merr një pamje krejtësisht tjetër dhe bëhet një komunë me gjithë ato kapacitete arsimore, duke filluar tek ato më të vogla deri tek ato të mesme”- tha kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.
 
“Organizata “Kalliri i Mirësisë” këtë projekt e ka ndihmuar me 800 mijë denarë, të cilat i ka pasur si grand prej një organizate joqeveritare që vepron në Angli”- theksoi kryetari i O.H. “Kalliri i Mirësisë”, Rufat Sherifi.
 
Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov, i pranishëm në ceremoni tha se qeveria do të ndërtojë çerdhe kudo ku ka nevojë, ndërsa zëvendëskryeministri Xhaferi theksoi se qeveria do vazhdojë me realizimin e programeve qeveritare në nivel lokal dhe qendror.
 
REJHANE BUSHI-METAJ