Maqedoni

Marrëveshja politike në prag të dështimit, Hojt heq paralele mes Maqedonisë dhe Bjellorusisë

21.10.2015 17:05

Maqedonia mund të shndërohet në një Bjellorusi ballkanike nëse partitë politike nuk ia dalin të dakordohen rreth zbatimit të plotë të Marrëveshjes politike të dy qershorit dhe protokollit të 15 korrikut...

Ndërmjetësuesi evropian në këto bisedime, Piter Van Hojt paralajmëroi dështimin e kësaj marrëveshje nëse palët nënshkruese nuk shënojnë progres brenda kësaj jave. 
 
Edhe pse veçoi subjektet shqiptare edhe LSDM-në si më të hapura për kompromis, sërish akuzoi partitë politike për mungesë përgjegjsie. 
 
“Vlerësimi im personal është se mungon llogaridhënia nga të gjitha partitë politike. Kur vijnë në pushtet, mendojnë se mund të jenë mbi ligjin.”- thotë Hojt.
 
Një gjë është e qartë, nuk ka plan B. Nëse marrëveshja dështon, Evropa sipas të gjitha gjasave do të aplikojë metodat që ka aplikuar ndaj Bjellorusisë dhe vendeve të ngjashme ku është konstatuar se nuk funksionon shteti ligjor. Lista të zeza dhe bllokim të xhirrollogarive bankare për zyrtarët e korruptuar.
 
Sipas Hojt, këto masa janë treguar metoda efikase në shumë shtete, për zhbllokimin e proceseve të ndryshme.
 
Ngecjet kryesore në bisedime janë tek Prokurorja Speciale, Komisioni Anketues Parlamentar, Ligji për bombat dhe Ligji për Qeverinë, thekson Hojt duke shtuar se pas shkeljes së afatit për votimin e Qeverisë teknike vihet në pikëpyetje Marrëveshja e Përzhinos në tërësi.
 
Për arritjen e marrëveshjes për Qeverinë teknike problem janë kompetencat e Minstrit të Brendshëm, pasi VMRO DPMNE-ja kërkon t’i merren thuaja të gjitha kompetencat e garantuara me ligj.
 
Sa i përket prokurores speciale Hojt thotë se Ligji është i qartë dhe Janevës duhet t’i mirratohet gjithçka që kërkon e që është paraparë me ligj.
 
Edhe për dështimin e zgjedhjes së Komisionit Anketues Parlamentar, Hojt thotë se pengesë është VMRO DPMNE-së, e cila kërkon që të mos diskutohet përmbajtja e bombave.
 
Veç kësaj, problem mbetet edhe çështja për kriminalizimin ose jo të materialeve të përgjuara, për të cilat palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta.
 
BE, përkatësisht ndërmjetësuesi Hojt do të vazhdojë përpjekjet edhe disa ditë për të mbajt në jetë këtë marrëveshje duke realizuar takime dypalëshe. 
 
SHPËTIM NUREDINI