Maqedoni
Lirohet polici i arrestuar më 9 maj, Sulejmani: Fitoi drejtësia, pres të kthehem në punë
21.10.2015 17:24
Pas 164 ditëve në paraburgim, Afrim Sulejmani, polici I arrestuar në aksionin policor të 9 dhe 10 majit në “Lagjen e trimave”, arriti të dëshmoj pafajsinë e tij.

Prokuroria publike brenda 5 muajve të fundit nuk arriti të dëshmoj akuzën se Sulejmani ka qenë I lidhur me grupin e armatosur, dhe I njejti nga dita e martë është I lirë.
Për Sulejmanin asgjë më nuk është e njejtë, pasi që ditën e arrestimit, ai është pushuar nga puna dhe tani që është I lirë kërkon që ti kthehet detyrës së tij.
“Për mua ishin pesë muaj të mjerueshme, kushtet të tmerrshme. Me gjithë dëshirë do të isha kthyer në punë, mezi pres të kthehem. Duhet t’i tregoj njerëzve se jam i pafajshëm dhe t’i kthehem detyrës. Mirëpo, presim çka do të vendos Ministria e Brendëshme”, tha Afrim Sulejmani, polic i arrestuar në Kumanovë.
Duke rikujtuar momentin se si është arrestuar, Sulejmani thotë drejtësia më në fund zbardhi pafajsin e tij.
“Më përfshinë si një nga anëtarët e grupit të armatosur, sikur një që ka marrë pjesë ne logjistikën e tyre. Por më në fund doli drejtësia dhe u vërtetua pafajësia ime. Nuk ka pasur prova ndaj meje, asnjë argument nuk ka qenë në favor të prokurorisë kundër meje. Për këtë arsye edhe jam liruar nga akuza, pasi nuk kam pasur asnjë kontakt me grupin e armatosur”, shtoi Sulejmani.
Në paraburgim vazhdojn të mbeten 30 persona të tjerë të arrestuar për incidentin në “Lagjen e trimave”, për të cilët prokuroria akoma nuk ka ngritur aktakuza.
Ngjarja e 9 dhe 10 majit në “ Lagjen e trimave “, përfundoi me një epilog me 8 policë të vrarë, 37 të plagosur, pa viktima civile, por me dëme të konsiderueshme materiale.
SANIJE KASAMI
