Gjykata Evropiane për të Drejta të Njeriut: Rritet numri i aplikimeve nga Maqedonia
Rritet numri i aplikimeve të qytetarëve të Maqedonisë drejt Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut...

Në krahasim me vitin e kaluar, ku numri i aplikimeve arrinte deri më 500, tani ky numër po tejkalohet dhe arrin deri më 700 aplikime brenda një viti, njoftoi Kostadin Bogdanov, agjent qeveritar në biron për përfaqësimin e Maqedonisë në GJEDNJ.
Sipas tij, më herët kanë dominuar lëndët për gjykim në afat të arsyeshëm, ndërsa tani qytetarët janë vetëdijesuar dhe Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut i drejtohen edhe për shkelje të ndryshme të të drejtave të njeriut.
“Deri më tani në Gjykatën në Strasburg në vit dërgoheshin deri më 500 aplikime me ankesa nga ana e qytetarëve të Maqedonisë. Ajo që ne e posedojmë si informatë jozyrtare është se deri më tani ka më shumë se 500 lëndë, që do të thotë se këtë vit mund të pritet që numri të arrijë mes 650 dhe 700 aplikime të parashtruara në GJEDNJ. Ne si biro na gëzon ky fakt, se një nga detyrat tona është të ngrisim vetëdijen jo vetëm tek gjykatësit, por edhe tek qytetarët”- tha agjenti qeveritar për përfaqësimin e Maqedonisë në GJEDNJ, Kosta Bogdanovski.
Derisa vendet e tjera gjykimet në Strasburg ju kanë kushtuar miliona euro, Maqedonia vitin e kaluar ka kaluar me 400 mijë euro dëme ndaj qytetarëve.
“Vitin e kaluar mendoj se kishim diku rreth 400 mijë euro të paguara për dëme, që në përgjithësi, duke u krahasuar më shtetet e tjera, nuk jemi në mesin e atyre shteteve që paguajnë shumë. Për shembull Malta, Portugalia dhe Serbia kanë paguar miliona euro për dëmshpërblime në vitin 2014. Turqia ka paguar 80 milion, ndërsa Mali i Zi 2 milion euro etj. Në këtë rast është i rëndësishëm mesazhi i GJEDNJ-së se ndonjë ligj nuk është në pajtueshmëri me Konventën dhe duhet korrigjuar”- deklaroi agjenti qeveritar për përfaqësimin e Maqedonisë në GJEDNJ, Kosta Bogdanovski.
Këto të dhëna u shpalosën gjatë promovimit të buletinit juridik dedikuar praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, qëllimi i të cilit është zbatim më i suksesshëm i standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga ana e gjykatave në Maqedoni. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
