BE dhe ShBA: Të implementohet Marrëveshja e Përzhinës
Bashkimi Evropian nuk i ka mbyllur dyert e zgjerimit, por kërkon nga vendet aspirante, ku bën pjesë edhe Maqedonia, që seriozisht të angazhohen për tejkalimin e sfidave dhe realizimin e reformave...

Kështu ka deklaruar zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiq, duke theksuar nevojën për zbatimin e kushteve dhe kritereve të Kopenhagës dhe legjislacionit të BE-së.
“Ne kemi komisioner i cili është përgjegjës për politikën e zgjerimit dhe negociata, dhe ne punojmë me të gjitha vendet që kanë perspektivë evropiane në këtë kontekst. Kemi sqaruar se kemi ndihmuar financiarisht vendet ballkanike në aspiratat për integrim. Ne vazhdojmë të përkrahim vendet e rajonit që t’i tejkalojnë sfidat dhe reformat”- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiq.
Kociançiq, po ashtu në emër të BE-së, ka kërkuar nga katër partitë nënshkruese të Marrëveshjes politike të Përzhinës, që të vazhdojnë urgjentisht me punën e implementimit të pikave nga marrëveshja, me qëllim që ta kompensojnë kohën e humbur.
Komisari Han tani më qartë e ka bërë të ditur zhgënjimin e tij nga zbatimi i detyrimeve nga qershori dhe korriku, dhe u ka bërë thirrje të gjithë atyre që e kanë nënshkruar marrëveshjen politike të tregojnë lidership dhe përgjegjësi. Është me rëndësi që të gjitha palët urgjentisht të vazhdojnë me punë në Grupin punues, të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim që të barazohet koha e humbur.
Është e rëndësishme që të gjitha arrihen detyrimet e palëve në marrëveshjen për qershor dhe korrik, ka deklaruar zëdhënësja, Kociançiq. Apel për implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës ka ardhur edhe nga ambasadori italian në Shkup, Beleli.
“Ne jemi të brengosur se situata nuk lëviz, shpresojmë se marrëveshja do të implementohet. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën. Ekspertë nga BE janë qasur në negociata mes partive politike dhe Qeverisë. E shohim Maqedoninë pjesë të Evropës dhe duam ta shohim anëtare të BE-së. Do të bëjmë shtypje dhe përpjekje, me qëllim që të kemi marrëveshje finale”- theksoi ambasadori italian, Masimo Beleli.
Edhe Ambasada amerikane ka shprehur dëshpërim që partitë politike nuk kanë respektuar afatet, kryesisht zgjedhjen e ministrit të Brendshëm, siç ishte paraparë të zgjidhej deri më 20 tetor. Ambasada inkurajon Qeverinë që të vazhdojë në afat të përshpejtuar të implementojë kërkesat e Marrëveshjes së Përzhinës. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
