Maqedoni
Instituti për Demokraci fton liderët për zgjidhje të krizës politike
22.10.2015 16:06
Instituti për Demokraci, nëpërmjet një letre të hapur adresuar katër liderëve politik, kërkon zgjidhjen e krizës politike...

Thirren palët në bisedime që të vazhdojnë negociatat në drejtim të kompletimit të Prokurorisë Speciale, si dhe formimin e komisionit anketues për bisedat e përgjuara, me qëllim që të niset procedimi i tyre.
Apelohet në hetimin e kriminalitetit dhe sanksionimin e tij. Nëse nuk realizohen këto synime që dalin edhe nga marrëveshja politike, kryetari i Institutit, Marko Troshanovski, thotë se rrezikohen zgjedhjet, si dhe stabiliteti i vendit, pa u përjashtuar edhe skenari bjellorus.
“Nëse ditëve të ardhshme nuk arrihet ndonjë zgjidhje sipas marrëveshjes politike, do të ketë thellim të krizës politike dhe shoqërore. Modalitet e BE-së drejtuar Maqedonisë, sipas shembullit të Bjellorusisë, janë thënë nëpërmjet përfaqësuesve evropian, andaj konsideroj se ato janë edhe pozicionet zyrtare të BE-së”- deklaroi kryetari i institutit për Demokraci, Marko Troshanovski.
Instituti për Demokraci hedh kritika edhe mbi punën e Kuvendit. Në një analizë të realizuar në periudhën qershor 2014 e deri në maj të këtij viti, kur edhe ka munguar opozita, thuhet se janë marrë vendime të varfra të bazuara vetëm në fjalime individuale, me replika minimale.
“Vendimet që ka marrë ajo përbërje parlamentare janë dukshëm më të varfra se sa vendimet që do të ishin miratuar me pjesëmarrjen e opozitës. Megjithatë, të dhëna për situatën e re do të kemi nga analiza e muajit shtator e këndej, pasi që monitorimi i Kuvendit vazhdon edhe në dy vitet e ardhshme. Unë jam i bindur se do të rritet përqindja e replikave, kundër replikave, por edhe fjalimeve joadekuate, të cilat deri më tani ishin raste të izoluara”- tha përfaqësuesi i Institutit për Demokraci, Jane Dimeski.
Për një debat më të mirëfilltë me argumente, Instituti për Demokraci kërkon ndryshimin e rregullores së Kuvendit, deputetët të mos kufizohen me fjalime 10 minutëshe, ndërsa ata të kenë të drejtën e fjalës më shumë se një herë gjatë shqyrtimit të një ligji.
Kështu do të miratoheshin ligje më cilësore, ndërsa do të rritej fuqia e kontrollit të Parlamentit mbi pushtetin ekzekutiv.
MERAL ISMAILI
