Futboll

Pas Evropianit, De Biasi i bën një tjetër dhuratë Manajt

22.10.2015 16:13

E mërkura ka qenë një ditë fantastike për Rey Manajn, sepse sulmuesi shqiptar ka marrë dy lajme të shkëlqyera në pak orë...

Fillimisht, paqja me trajnerin e Shqipërisë, Gianni De Biasi është zyrtare, aq sa vetë ky i fundit vulos gjithçka me një lajm të bujshëm në një intervistë për La Gazzetta dello Sport.
 
“E kam falur, edhe pse nuk ka asgjë për të falur. Përkundrazi, por iu njoftoj për diçka, në nëntor, për një miqësore që jemi ende duke e organizuar, Manaj do të grumbullohet me kombëtaren e madhe”.
 
“Unë dhe Paolo Tramezzani kemi kohë që e ndjekim, që kur luante te Sampdoria. Nëse do të jetë pjesë e Shqipërisë në Euro 2016 ? Nëse do të zhvillojë një sezon të mirë”.
 
Pak orë më vonë, Roberto Mancini i ka bërë një tjetër dhuratë Manajt, sepse e ka hedhur në fushë nga fillimi sulmuesin e ri, duke e lënë në fushë për 62 minuta në derbin e fituar 1-0 ndaj Milanit, që ka vlejtur edhe triumfin në Trofeun “Berlusconi”.
 
Ndërkaq, mediat italiane raportojnë se brenda pak ditësh De Biasi do të shkojë në qendrën stërvitore të Interit, në Appiano Gentile, për të folur personalisht me 18-vjeçarin.