Futboll

Sonte shqiptaret ne Europa League

22.10.2015 16:20

Një skuadër e plot e impenjuar në aktivitetin prestigjoz kontinental. Duke nisur nga kolonia e Baselit...

Zviceranët luajnë në shtëpi përballë Belenenses. Taulant Xhaka i shndërruar në shtyllën e mesfushës do të jetë normalisht në formacionin e parë.
 
Mbetet për t’u vlerësuar nëse tekniku Fischer do t’i besojë një fanellë titullari edhe Shkëlzen Gashit, ndërsa sulmuesi i ri, Albian Ajeti pritet ta nisë sfidën nga stoli. Jashtë përballjes mbetet mbrojtësi kuqezi, Naser Aliji, i cili nuk është i regjistruar në listën e ndeshjeve të Europa League.
 
Pas dy fitoreve në ndeshjet e para, ku kryeson Grupin I, Baseli kërkon tri pikët e radhës, për të hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit.
 
Në fushë zbret edhe Elseid Hysaj me Napolin. Italianët janë të impenjuar në Danimarkë përballë Midtjylland. Përballja shërben për të përcaktuar supremacinë në Grupin D, me dy skuadrat që kryesojnë me 6 pikë të plota. Pas mungesës në sfidën e fundit me Legian e Varshavës, mbrojtësi shkodran pritet të rikthehet në formacion.
 
Nga skuadrat e Serisë A, Lazio e Etrit Berishës ndeshet në Olimpico të Romës me Rosenborgun. Pas sfidës së fituar me St-Etienne, gardiani kuqezi besohet të jetë përsëri titullar, edhe sepse Europa League është turneu ku trajneri Pioli e aktivizon përpos Kupës.
 
Lazio kryeson Grupin G së bashku me Dnipron me 4 pikë dhe nuk pritet të ketë probleme përballë norvegjezëve, që ende nuk e kanë shijuar fitoren e parë.
 
Dy shqiptarë janë të impenjuar në Grupin J. Pas fitores ndaj Anderlechtit që e ka pozicionuar përkohësisht në vendin e dytë, Qarabag-u i Ansi Agollit luan në transfertë me Monaco. Një sfidë e komplikuar edhe sepse klubi nga Principata kërkon suksesin e parë në këtë edicion, pas dy barazimeve.
 
Në sfidën tjetër, Anderlechti i trajnerit Besnik Hasi pret në Belgjikë kryesuesit e Tottenham. Klubi mbretëror dhe tekniku shqiptar synojnë fitoren e parë në grup, megjithë kualitetin e padiskutuar të kundërshtarëve.
 
Pas dy barazimeve me Qabala dhe mbi të gjitha me gjigandët e Borussias së Dortmundit, PAOK-u i Ergys Kaçes kërkon fitoren e parë në Grupin C. Mesfushori kuqezi do të japë kontributin në duelin me rusët e Krasnodar, një përballje që mund të rezultojë vendimtare për ekipin nga Selaniku për fatet e kualifikimit.
 
Në fund, në Grupin F, Herolind Shala dhe Slovan Liberec luajnë në fushën e tyre përballë holandezëve të Groningen. Ekipi çek synon të grumbullojë sa më tepër pikë, edhe sepse konkurrenca me rivalë si Braga dhe Marseille është mjaft e fort.