Maqedoni

Nuland kërkon zgjidhjen e kontestit me emrin

22.10.2015 16:42

Problemi me emrin që ka Maqedonia me Greqinë ka qenë temë e bisedimeve mes ndihmëssekretares së shtetit të ShBA-ve, Viktoria Nuland, dhe zyrtarëve të Greqisë...

Nuland ka kërkuar nga palët kontestuese që ta zgjidhin problemin me emrin, për të cilin ka siguruar edhe ndihmën amerikane në përafrimin e qëndrimeve mes Athinës dhe Shkupit. 
 
“Edhe me kryeministrin edhe me ministrin e Brendshëm biseduam për shpresat tona të përbashkëta, që të gjejmë zgjidhje e cila do të jetë e pranueshme nga palët, që të mundemi ta tejkalojmë këtë problem të vjetër në periudhën e ardhshme”- deklaroi ndihmëssekretarja e shtetit të ShBA-ve, Viktoria Nuland.
 
Sipas politikës greke, vizita e zyrtares amerikane nënkupton trysninë që ShBA-të po bëjnë ndaj Athinës për tejkalimin e çështjes, të cilët njëherit kanë theksuar se në periudhën e ardhshme do të shtohet forca diplomatike e ndërkombëtarëve për tejkalimin e kontestit shumëvjeçar. 
 
Edhe kryetari francez, Fransoa Oland, po qëndron sot dhe nesër në Greqi, ku sipas disa informacioneve, çështja e emrit do të jetë, mes tjerash, temë e bisedimeve e kryetarit francez me autoritetet greke. 
 
 
Në ndërkohë, edhe pse në skemën politike në vend çështja e emrit përballë sfidave aktuale është anashkaluar, gjithsesi paraqet një problem të ngrirë me fqinjin jugor.
 
Një ndër pikat e Marrëveshjes së Përzhinës konsiston në rregullimin e problemeve bilaterale të Maqedonisë me fqinjët.
 
Po ashtu çështja e emrit pritet të zërë vend të posaçëm në progres raportin për Maqedoninë në kapitullin e fqinjësisë së mirë dhe raporteve rajonale. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU