Maqedoni

Ivanov: situata po komplikohet, fajtorë liderët

22.10.2015 16:47

Presidenti, Gjorge Ivanov, ka ftuar liderët e katër partive politike, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës...

Presidenti, Gjorge Ivanov, ka ftuar liderët e katër partive politike, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, që të zbatojnë dokumentin për të cilin janë dakorduar me ndërmjetësim të përfaqësuesve ndërkombëtarë.
 
Zbatimi i marrëveshjes politike të dy qershorit është obligim dhe përgjegjësi e katër liderëve politik, brenda afateve të dakorduara, thotë Ivanov. Sipas tij, vazhdimi i krizës politike po e përkeqëson gjendjen e përgjithshme në Maqedoni.  
 
“Për fat të keq, si po kalon koha dhe po tejkalohen afatet, por edhe si nuk plotësohen obligimet e marra, situata po komplikohet. Kriza në shtet po zgjat shumë. Secili duhet të jetë i përgjegjshëm dhe të mbajë përgjegjësinë e vet për atë që zgjidhjet po shtyhen. Bëj thirrje te të gjithë palët e përfshira në këtë proces që të veprojnë ashtu siç janë dakorduar”- deklaroi presidenti i RM-së, Gjorge Ivanov.
 
Sipas tij, qytetarët po humbin durimin edhe pse shquhen si durimtarë. Situata e tendosur ndikon drejtpërdrejt në biznesin dhe në jetët e njerëzve.
 
Pavarësisht thirrjeve nga autoritet vendore dhe ndërkombëtare për respektim të marrëveshjes dhe zhbllokimin e ngërçit politik, nga dje nuk është shënuar asnjë avancim në këtë drejtim.
 
Marrëveshja rrezikon të dështojë nëse brenda pak ditësh palët nuk mbyllin çështjet kyçe të domosdoshme për organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike.
 
Një mundësi të tillë e paralajmëroi vetë ndërmjetësuesi belg, Piter Van Hojt.
 
Nëse marrëveshja dështon, BE mund të aplikojë metodat që ka aplikuar ndaj kreut të lartë shtetëror të Bjellorusisë, siç janë listat e zeza dhe bllokimi i xhirollogarive. 
 
SHPËTIM NUREDINI