Maqedoni

Osman Kadriu: Këshilli i Prokurorëve bën obstruksion ndaj Janevës

22.10.2015 17:00

Eksperti juridik, Osman Kadriu, vlerëson se janë të paqëndrueshme vlerësimet e prokurorit shtetëror, Marko Zvrlevski, dhe kryetarit të Këshillit të Prokurorëve...

Eksperti juridik, Osman Kadriu, vlerëson se janë të paqëndrueshme vlerësimet e prokurorit shtetëror, Marko Zvrlevski, dhe kryetarit të Këshillit të Prokurorëve, Petar Anevski, se prokurorja speciale është zgjedhur politikisht.
 
Që të dy në funksionet e tyre janë zgjedhur përmes Kuvendit, gjegjësisht me votim të partive në pushtet, prandaj edhe qëndrimet e tyre nuk janë të argumentuara, pasi që edhe zgjedhja e tyre është identike, thotë Osmani.
 
Edhe sa i përket arsyetimit se për 28 lëndë nuk janë të nevojshëm 14 prokurorë, Osmani thotë se kërkesat e Janevës garantohen me Ligjin për prokurorë special. 
 
“Prokuroria Speciale nuk është prokurori politike, e as për çështje politike, por është zgjedhur, përkundrazi, për ushtrimin e asaj kompetence që ka qenë në kompetencë të prokurorit shtetëror, e ai këtë kompetencë nuk e ka ushtruar. Prandaj, në qoftë se flitet për qasje politike, për organ politik, mendoj se politikisht në vend të parë vepron Prokuroria Shtetërore e jo Prokuroria Speciale. Prandaj, mendoj se ky vlerësim është tendencioz dhe jo i realët, por mendim personal i prokurorit shtetëror”- deklaroi eksperti juridik, Osman Kadriu.
 
Vendimin dhe qëndrimin e Këshillit të Prokurorëve, Kadriu e sheh si obstruksion ndaj Janeves. Ai është i mendimit se e gjithë kjo ka për qëllim harxhimin e kohës që i është mundësuar prokurores speciale për të filluar me punë. 
 
“Është indikative sjellja e Këshillit të Prokurorëve, pse ky organ përcaktohet vetëm për 7 anëtarë e jo për 14, sa ka propozuar vetë Janeva. Jam i mendimit se këtu kompetenca dhe përgjegjësia është e vetë zonjës Janeva për numrin  e prokurorëve, e jo të vendosë Prokuroria. Këshilli i Prokurorëve duhet vetëm me akt solemn të bëjë zgjedhjen e tyre, e jo të përcaktojë se sa duhet të numërojë Prokuroria Speciale. Këshilli i Prokurorëve patjetër duhet të bëjë zgjedhjen e të 7 anëtarëve tjerë, por në qoftë se kjo nuk ndodhë, kjo natyrisht do të ndikojë në efikasitetin dhe ushtrimin e kompetencës së prokurores speciale. Deri në plotësimin e vendeve që kanë ngelur vakant, prokurorja speciale nuk ka pengesa dhe ndalesa që të fillojë me ushtrimin e kompetencave të organit në fjalë”- tha Kadriu.
 
Sipas Kadriut, nëse Prokurorisë Speciale i bëhen obstruksione për qëllime të ndryshme, do të rrezikohet edhe prishja e Marrëveshjes së Przhinës dhe thellimi i krizës politike. 
 
SANIJE KASAMI