Botë

Kriza e refugjatëve kaplon Slloveninë, 12.000 refugjatë për 24 orë

22.10.2015 17:12

Kriza e refugjatëve e cila ka vërshuar Evropën ditëve të fundit ka goditur Slloveninë dhe ka detyruar këtë vend ballkanik të kërkojë ndihmë nga Bashkimi Evropian...

Komisioneri evropian për emigracionin, Dimitris Avramopoulos, ndodhet atje për të diskutuar krizën e vendit, që thotë se nuk po e përballon dot situatën e krijuar.
 
Më shumë se 12.000 refugjatë kanë vërshuar atje përgjatë 24 orëve të fundit, të dhëna këto të ofruara nga zyrtarë të policisë.
 
Në qoftë se është vërtetë kështu, kjo shifër përbën një rekord që kapërcen edhe numrin e emigrantëve që kanë hyrë në Hungari gjatë muajit shtator, kur llogaritet të ketë qenë dhe piku i krizës në atë vend.
 
Nga të gjitha shtetet e rrugës migruese ballkanike, Sllovenia me 2 milionë banorë është më e vogla dhe fluksi i të ardhurve i ka shkaktuar goxha pështjellim.
 
Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, më shumë se 1.000 azilkërkues ishin ngjeshur në pikën kufitare Spielfeld, ku bëhet grumbullimi i refugjatëve e kalimi në Austri.
 
Në kampet sllovene të pritjes, gjendja është mjaft e tensionuar. Shpërthimi i një zjarri, origjina e të cilit nuk dihet me saktësi, shkatërroi gati 27 tenda në Brezicën e ndodhur në kufi me Kroacinë.
 
Tashmë, vendi i është drejtuar bllokut evropian për ta ndihmuar të kontrollojë vërshimin e emigrantëve të ardhur nga shteti fqinj.
 
Efekti domino i asaj çfarë kanë përjetuar së fundi Sllovenia e Kroacia nisi javën e kaluar me mbylljen e kufijve të Hungarisë.
 
Kryeministri i saj, Viktor Orban, jo vetëm që nuk tërhiqet nga vendimi i tij, por sot i bëri thirrje liderëve evropianë të ndryshojnë politikat e emigracionit e të përfshijnë votuesit në diskutimet mbi të ardhmen e Kontinentit të Vjetër, në të kundërt, sipas tij, do të gjenden përballë një krize të thellë politike e kërcënimit të rendit demokratik.
 
Kriza e refugjatëve vazhdon të jetë temë diskutimi edhe në vendin tonë, përderisa ndihmë financiare nuk ka ende.
 
Moti i keq dhe shirat e rrëmbyeshëm e kanë shtuar rrjedhën e valës së emigrantëve në kufirin maqedono-grek, për shkak se organizatat humanitare përshpejtuan aktivitetet në shpërndarjen e rrobave të trasha, batanijeve dhe gjësendeve të nevojshme.
 
Edhe MPB raporton për numër të shtuar të migrantëve të papritur në këtë periudhë.
 
REJHANE BUSHI-METAJ