Këshilli i BE-së miratoi MSA-në për Kosovën
Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian...

“Miratimi i MSA-së në Këshillin e BE-së shënon përfundimin e procesit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe hap rrugë për nënshkrimin e MSA-së me 27 tetor në Strasburg”- thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Integrimit Evropian të Kosovës.
Marrëveshja e Stabilizim Asociimit parasheh themelimin e marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, dhe paraqet hapin e parë formal drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ky vendim u mirëprit nga autoritetet në Prishtinë.
Shefi i Diplomacisë së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka konsideruar edhe një sukses të radhës për Kosovën miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga Këshilli i Bashkimit Evropian.
Sipas Thaçit, kjo jep dritën jeshile për nënshkrimin e MSA-së më 27 tetor në Strasburg, duke hapur kështu një kapitull të ri në procesin e integrimit evropian të Kosovës.
“Pas fitores në bordin ekzekutiv të UNESCO-s dje, Kosova sot korr një tjetër fitore në arenën ndërkombëtare, duke siguruar miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nga Këshilli i Bashkimit Evropian. Ky miratim jep dritën jeshile për nënshkrimin e MSA-së më 27 tetor në Strasburg, duke hapur një kapitull të ri në procesin e integrimit evropian të Kosovës”- vlerëson Thaçi.
Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vlerësuar se vendimi është shumëpritur në Kosovë, por ajo tha se Kosova ka rrugë të gjatë para vetes, por kjo rrugë është e pakthyeshme.
GYLTENE SINANI
