Maqedoni

Buxheti përplas PDSh-në dhe VMRO-DPMNE-në

22.10.2015 18:09

Buxheti sërish ka nxitur kritika dhe akuza të ashpra mes partive politike në pushtet dhe opozitë...

Gjatë shqyrtimin të amendamenteve janë përplasur deputetët e PDSh-së dhe VMRO-së. “Sheri” ka nisur me propozimin e amendamentit nga deputeti i PDSh-së, Gazmend Aliu, për pastrimin apo dislokimin e deponisë në Strugë. Ai tha se shqiptarët po diskriminohen edhe në deponi.                
                                    
“Edhe në Shkup jetojnë njerëz edhe në Maqedoninë lindore jetojnë njerëz, për çfarë përkujdeset kjo Qeveri, për shëndetin e qytetarëve të saj, apo që t’u shkaktojë sa më tepër dëme?”- tha Gazmend Aliu nga PDSh. 
 
Kjo ka nxitur reagimin e deputetes së VMRO-së, Liljana Zaturovska, e cila tha se është e pamundur që të ketë diskriminim, i cili do etnikum në bazë të deponive.  
 
“Kur këshilltarët e VMRO-DPMNE-së e ofruan zgjidhjen e këtij problemi me rritjen e çmimit të transportit deri në deponinë rajonale të Ohrit që të dërgojnë mbeturinat, kryetari i Komunës, ish bashkëpartiaku i juaj, Ziadin Sela, nuk donte, nuk e dimë arsyen përse, për biznese apo për diçka tjetër. Kemi sjellë ligj për menaxhimin e deponive dhe deponitë do të zgjidhen në nivel rajonal. Ministria e Mjedisit Jetësor ka shpallur tender, është duke u bërë elaborimi, domethënë deponia në Strugë do të zgjidhet”- tha Liljana Zaturovska nga VMRO.
 
Por, nga ana tjetër, deputeti Aliu tha se problemet me deponitë ekzistojnë që nga viti 2002, ndërsa tha se diskriminimi është evident në nivelin e deponive. 
 
“Nuk mundet deponia në Strugë, apo deponitë e egra në Strugë të hapen, kur ju shumë mirë e dini me ligj se ka deponi rajonale në Ohër, edhe ai i cili e bën atë e thyen ligjin, edhe ligjërisht ai ka obligim që t’i transportojë mbeturinat në deponinë rajonale, prej rajonit apo si është bërë ndarja në atë kohë”- theksoi Gazmend Aliu nga PDSh.
 
Debati mbi amendamentet e propozuara do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vazhdim. Ndërsa gjithsej grupet parlamentare kanë dorëzuar 418 amendamente. 
 
ERSAN PAJAZITI