Maqedoni

Punimet në autostradën Kërçovë-Ohër janë realizuar në masën 15 %

23.10.2015 15:34

Edhe përkundër problemeve të natyrës teknike, punimet në autostradën Kërçovë-Ohër kanë ecur për së mbari dhe ato janë realizuar në masën 15 %...

Kjo rrugë e gjatë rreth 56 kilometra do të shkurtojë distancat me Ohrin, Strugën dhe shtetin shqiptar dhe do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendeve që lidhen me koridorin tetë.
 
Punimet në autostradën Kërçovë-Ohër, janë karakterizuar me disa probleme të vogla të natyrës gjeodezike dhe ndryshimeve të vogla por të domosdoshme në projektin e autostradës pas ndërhyrjeve në dislokimin e rrjeteve elektrike dhe atyre telefonike, por marrë nëpërgjithësi, punimet kanë ecur për së mbari dhe ato janë realizuar në masën 15 përqind, thotë Zëvendës menaxheri i projektit të autostradës Jon Çu Çen.
 
Faza fillestare e punimeve, nënvizon ai, ka fokusuar gërmimet dhe ato tashmë kanë arritur deri në 50 % ndërsa betonimi në masën 10 %.
 
Pokështu është punuar edhe në aspektin e nivelizimit dhe asfaltimit ndërsa përqëndrimi më i madh i krahut të punës ka qenë në tunelin e autostradës si njëri ndër segmentet kryesore të projektit.
 
Autostrada Kërçovë-Ohër është cilësuar si njëri ndër projektet më të mëdha që realizohet në këtë pjesë të vendit që do të sjellë përfitime ekonomike dhe do të përforcojë kapacitetet bashkëpunuese me vendet fqinje.  
 
Gjatësia e autostradës është 56 kilometra, gjërësia 26 metra e gjysëm që mundëson lëvizjen e automjeteve në dy korsi të qarkullimit rrugor. Finalizimi i punëve ndërtimore  në autostradën Kërçovë-Ohër do të realizohet brenda afatit të caktuar kohor.
 
SHABAN DALIPI