Botë
Mijëra emigrantë kaluan kufirin në të ftohtë
23.10.2015 17:32
Mijëra emigrantë, kanë kaluar natën nën qiell të hapur në afërsi të kufirit Serbi-Kroaci...

5000 emigrantë kanë kaluar natën në të ftohtë, në baltë, për shkak se policia kroate kishte mbyllur përkohësisht kufirin, megjithatë policia kroate ka deklaruar se deri në mëngjes kanë qëndruar vetëm grupe të vogëla njerëzish.
Që nga mbyllja e kufirit Hungari-Kroaci, emigrantët tani shfrytëzojnë rrugën Kroaci-Slloveni me qëllim për të vazhduar udhëtimin e tyre tutje drejt vendeve të BE-së.
Kancelarja gjermane Angela Merkel në Madrid përsëriti qëndrimin e saj se kufijtë janë të hapur dhe se nuk ka limit për pranimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve.
“Kushdo që shkel në Europë, ka të drejtën të trajtohet si njeri.Ne do t'ia dalim! Duhet të punojmë së bashku me Turqinë dhe duhet të kthejmë sërish ligjin në kufijtë me partnerët e NATO-s, Turqinë dhe Greqinë".“Çdokush të kontribuojë në bazë të mundësive dhe kapaciteteve. Kjo ka qenë gjithmonë Europa dhe kjo është formulë suksesi. Prandaj nuk do të ndalemi së luftuari për këtë. Duhet ta përballojmë me solidaritet edhe këtë sfide, ndoshta më e madhja e dekadave të fundit”, shprehet kancelarja gjermane Angela Merkel.
Kryeministri hungarez Viktor Orban e cilëson të gabuar këtë politikë. Ai kërkoi në Madrid sigurimin e kufijve europianë dhe kufizimin e fluksit të refugjatëve.
“Nëse kjo nuk funksionon në Greqi, atëherë Hungaria dhe Sllovenia duhet ta marrin vetë situatën në dorë. Europa sot është e pasur dhe e dobët. Kjo është përzierja më e rrezikshme. Nuk kam gjë kundra myslimanëve, por ne nuk kemi mandat të ndryshojmë thellësisht shoqërinë europiane”, shprehet kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Duke iu referuar Merkelit, kryeministri Orban tha se refugjatëve nuk u duhen bërë premtimet që nuk mund të mbahen. Sipas tij shumë nga emigrantët nuk janë refugjatë lufte.
Qeveria Gjermane ndërkohë ndërmer masa të reja për dëbimin e migrantëve nga Evropa Lindore të cilëve nuk u është pranuar kërkesa për azil në Gjermani ose me lejet e përkohshme afatshkurtër qëndrimi.
Qeveria gjermane po mendon që për ë përdoren edhe avionët e mëdhenj të transportit të Bundeswehr-it.
REJHANE BUSHI-METAJ
