Ekonomi
Konferenca ekonomike, Merkel dëshiron marrëdhënie të mira ekonomike me Ukrainën dhe Rusinë
24.10.2015 15:33
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dëshiron marrëdhënie të mira ekonomike jo vetëm me Ukrainën, por edhe me Rusinë...

Gjatë fjalës së saj në konferencën ekonomike në Berlin, Merkel tha se pakti tregtar i nënshkruar me Ukrainën nuk është kundër Rusisë, përkundazi Berlini kërkon marrëdhënie të mira me Rusinë.
Marrëveshja e tregtisë së lirë mes Bashkimit Europian dhe Ukrainës do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm, pavarësisht përpjekjeve të Rusisë për të vonuar implementimin e saj.
Merkel:“Kjo marrëveshje e tregtisë së lirë nuk është kundër Rusisë. Përkundrazi, ne duam të kemi marëdhënie të mira ekonomike me Ukrainën, por në të njëjtën kohë edhe me Rusinë”.
Sipas Kancelares gjermane, pagat e ulëta dhe kualifikimi i lartë i punëtorëve, e bën Ukrainën një vend ideal për të zhvilluar biznes, por i kujtoi Kievit se duhet të zbatojë reformat kundër korrupsionit, në mënyrë që të thithë investitorët gjermanë.
Kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, tha se vendi i tij ka filluar të shohë ndryshime pozitive ekonomike, por ndihma e Gjermanisë në zbatimin e reformave është një domosdoshëmri.
Merkel tha se Gjermania është e gatshme të ndihmojë Ukrainën në rrugën e saj drejt stabilitetit ekonomik dhe prosperitetit.
Gjermania është partneri i tretë i rëndësishëm tregtar i Ukrainës, pas Rusisë dhe Kinës./Ora News
