Botë
Forcat amerikane kanë gjetur të dhëna të fshehta të ISIS
24.10.2015 19:22
Sekretari amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter, ka bërë të ditur se forcat e Shteteve të Bashkuara kanë gjetur “vend të fshehtë të rëndësishëm”...

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Ashton Carter, ka bërë të ditur se forcat e Shteteve të Bashkuara kanë gjetur “vend të fshehtë të rëndësishëm” të inteligjencës për grupin militant, Shteti Islamik (IS), gjatë ndërhyrjes në pjesën veriore të Irakut, me ç’rast u liruan 70 persona të zënë nga militantët.
Forcat e operacioneve speciale të Shteteve të Bashkuara dhe pjesëtarët kurdë të forcave Peshmerga, e sulmuan një burg të IS-it afër qytetit Havijah, në pjesën veriore të Irakut, ditën e premte, me ç’rast i liruan personat e zënë, që ballafaqoheshin me ekzekutim të menjëhershëm.
“Shuma e gjithë kësaj është se do të ketë inteligjencë të vlefshme nga kjo”, tha Carter, mbrëmë vonë në Pentagon.
Gjatë këtij aksioni është vrarë edhe një ushtar amerikan. Ky është pjesëtari i parë i vrarë i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara prej se ka filluar fushata kundër militantëve të Shtetit Islamik, para më tepër se një viti.
Sekretari Carter tha se “është krenar” për ushtarin e vrarë, Joshua Wheeler, i cili është nderuar me shumë mirënjohje.
