Botë

Jordania bashkëpunon me Moskën në Siri

25.10.2015 13:32

Rusia dhe Jordania kanë nisur koordinim për operacionet ajrore në Siri, duke bërë kështu forcimin e pozitës së Moskës në këtë sipërmarrje ushtarake...

Ministri i Jashtëm rus, së bashku me homologun e tij jordanez, arritën në një ujdi për të mbrojtur regjimin e Bashar al Assad.
 
Por frika e perendimorëve është se fushata ushtarake e Rusisë , nuk ka në shënjestër vetëm grupet "terroriste" si Shteti  Islamik ISIS, por edhe fushat ku veprojnë rebelët sirianë.
 
Në të njëjtën kohë, Jordania gjithashtu është edhe pjesë e koalicionit të udhëhequr nga SHBA kryen sulme ajrore kundër ISIS. Për analistët, kjo mund të gjenerojë debate mes palëve.
 
Për t’i paraprirë këtij skenari, Lavrov dhe homologu i tij amerikan, John Kerry, zhvilluan  bisedime me dyer të mbyllura të premten në kryeqytetin austriak me fokus kryesor në konfliktin sirian.
 
Por, ka qenë deklarata e presidentit Putin disa ditë më parë, ajo që zgjoi tensionet. Ai akuzoi Perëndimin për standard të dyfishtë në zgjidhjen e konflikteve në Lindjen e Mesme. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e përdorin grupet terroriste për interesat e tyre. 
 
“Është gjithmonë e vështirë te luash një lojë të dyfishtë , të shpallësh një luftë kundër terroristëve, por në të njëjtën kohë të përpiqesh të përdorësh disa prej tyre si gurë shahu në fushën e Lindjes së Mesme. Nuk është e nevojshme  për të luajtur me fjalët dhe terroristët, e për ti ndarë ata në të moderuar dhe jo të moderuar. Unë do të doja të dija se cili është qëllimi i vërtetë i tyre”, deklaroi Putin.
 
Pavarësisht deklaratave , Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, ka fajësuar sulmet  ajrore nga të dyja koalicionet për vdekjen e civilëve.
 
Vetëm nga nisja e sulmeve ruse në 30 shtator, të paktën 446 persona, më shumë se një e treta e tyre civilë, kane gjetur vdekjen./Top Channel