Botë

Protesta të dhunshme në Podgoricë sulmohet me gurë ambasada e Shqipërisë

25.10.2015 13:46

Policia malazeze mbrëmë në Podgoricë ka hedhur gaz lotsjellës, për t’i shpërndarë protestuesit antiqeveritar...

Policia malazeze mbrëmë në Podgoricë ka hedhur gaz lotsjellës, për t’i shpërndarë protestuesit antiqeveritar, që kanë marshuar drejt ndërtesës së parlamentit, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Milo Gjukanoviq, dhe zgjedhje të parakohshme.Poashtu është sulmuar me gurë edhe ambasada e Shqipërisë në Podgoricë.                                                                                                 

Tubimi ishte paqësor, por u shndërrua në të dhunshme, pasi demonstruesit u përpoqën ta shpërthejnë kordonin e policisë para ndërtesës së parlamentit, duke hedhur gurë, fishekzjarre dhe pajisje zjarrvënëse.
 
Ministri i brendshëm i Malit të Zi, Rasko Konjeviq, ka deklaruar se 15 policë janë plagosur, një prej tyre seriozisht, dhe se 24 civilë kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
 
Lideri i Frontit Demokratik opozitar, që e ka organizuar demonstratën, Andrija Mandiq, dhe aleati i tij, Sllaven Radunoviq, ishin marrë në pzetje nga policia lidhur me rolin e tyre në incidente, ka njoftuar policia e Malit të Zi.
 
Para se të filloj protesta, një grup i mbështetësve opozitarë ka hedhur gurë kundër Ambasadës së Shqipërisë në Podgoricë, duke e dëmtuar pjesën e jashtme të ambasadës.
 
Qeveria e Malit të Zi e "ka dënuar këtë incident me hedhje të gurëve kundër Ambasadës shqiptare.
 
Reagim lidhur me sulmin ka ardhur edhe nga Ministria e jashtme e Shqipërisë e cila duke e dënuar sulmin e mbrëmshëm kundër Ambasadës së Shqipërisë në Podgoricë u bën thirrje autoriteteve të Malit të Zi, që të “ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme për mbrojtjen e ndërtesës së Ambasadës dhe objektet e tjera, për të siguruar aktivitet normal të saj dhe integritet të personelit dhe për t’i sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për këtë sulm”.
 
Poashtu Ministria e jashtme ka theksuar se Shqipëria do të vazhdoj ta mbështes kursin evro-atlantik të rajonit.
 
Opozita është kundër politikës së kryeministrit Milo Gjukanoviq, duke përfshirë edhe hyrjen e Malit të Zi në NATO.
 
Protestuesit kërkojnë tërheqje të kryeministrit dhe formim të Qeverisë së përkohshme. Fundjavën e kaluar opozita i dha kryeministrit afat deri më 24 tetor që të japë dorëheqje, duke kërcnuar se "Mali i Zi do të dalë" në protestë. Por Gjukanoviq nuk sheh shkak për dorëheqje.