Maqedoni

Kriza e refugjatëve liderët e BE-së dhe Ballkanit takim urgjent

25.10.2015 14:06

Kriza e refugjatëve në Evropë, ka detyruar zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit të mbajnë sot në Bruksel një takim të jashtëzakonshëm...

Në këtë samit, që e ka thirrur presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, pritet të marrin pjesë liderët e tetë vendeve të BE-së, që më së shumti janë goditur nga kjo krizë, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe liderët e shteteve joanëtare, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë.
 
Samiti vjen pas kërcënimeve nga tri vende se do t’i mbyllin kufijtë e tyre, nëse vendet veriore të BE-së e ndalin pranimin e migrantëve.
 
Bullgaria, Rumania dhe Serbia, dje kanë tërhequr vërejtjen se nuk do të lejojnë të shndërrohen në “zonë neutrale” për dhjetëra mijëra migrantë, kryesisht nga Siria, Iraku dhe Afganistani, që synojnë të arrijnë në disa vende më të zhvilluara të Bashkimit Evropian.
 
Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov, tha pas bisedimeve me liderët e Rumanisë dhe Serbisë në Sofje, se këto tri vende do t’i mbyllin kufijtë “në momentin e njejtë” kur Gjermania, Austria dhe vendet e tjera të Evropës Perëndimore i mbyllin kufijtë e tyre.