Kriza politike, mosarritja e marrëveshjes rrezikon rekomandimin
Jo zyrtarisht mësojmë se Komisioni evropian të marten përmbyll raportin e progresit për Maqedoninë...

Jo zyrtarisht mësojmë se Komisioni evropian të marten përmbyll raportin e progresit për Maqedoninë, andaj vendit i kanë mbetur edhe dy ditë për të shpëtuar jo vetëm marrëveshjen politike të Përzhinos, por edhe perspektivën euroatlantike të vendit.
Nëse deri në këtë ditë nuk tejkalohen dallimet mes partive politike, Komisioni Evropian do t’ia marr Maqedonisë rekomandimin për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Pas takimit të fundit të ambasadorëve Beleli, Orav dhe Bejli me kryeministrin Nikolla Gruevski, ambasadori italian, paralajmëroi deklaratë zyrtare pas takimit të liderëve dhe grupeve partiake.
Kjo deklaratë e ambasadorëve pritet të ndodhë të hënën ose të martën. Nëse deri atëherë nuk arrihet marrëveshje, ndërkombëtarët do të japin lajme të hidhura për vendin dhe krerët më të lartë shtetërorë.
Krahas, vendimit për humbjen e rekomandimit për negociata, ambasadorët e vendeve evropiane dhe SHBA-së në Shkup, në konferencën e javës së ardhshme mund t’i bëjnë publike sanksionet që fillimisht do të jenë ndaj krerëve shtetërorë.
Këto masa parashikojnë listë të zezë me emrat e zyrtarëve shtetërorë të cilëve do t’ju ndalohet hyrja në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe do të ju bllokohen llogaritë bankare dhe marrëdhëniet ekonomike financiare me perëndimin.
Analistët politik kanë vlerësuar se këto masa do të jenë një presion i mirë që do të ndihmonte në tejkalimin e krizës politike dhe organizimin e zgjedhjeve të drejta dhe të lira vitin e ardhshëm.
Sipas tyre dështimi i Marrëveshjes së Përzhinos vë në pikpyetje ardhmërinë e vendit.
Për shkak të shkeljes së afateve të parapara në Marrëveshjen e Përzhinos, ndërmjetësi belg Peter Vanhoute paralajmëroi se mund të shtyhen edhe zgjedhjet parlamentare të parapara për më 24 prill të vitit që vjen.
Nga burime të grupeve punuese jo zyrtarisht mësojmë se në takimin e së premtes liderët kanë arritur marrëveshje për komisionin anketues parlamentar.
Mësohet se VMRO-DPMNE ka lëshuar pe duke pranuar që komisioni të hetojë edhe përmbajtjen e bisedave të përgjuara dhe jo vetëm përgjegjësinë për përgjimet.
