Bruksel, kriza e emigrantëve, 100 mijë qendra pritjeje në BE dhe Ballkan
Liderët e Bashkimit Europian dhe të Ballkanit kanë rënë dakord për një plan bashkëpunimi prej 17 pikash për të menaxhuar krizën e emigrantëve...

Plani parashikon që 100.000 qendra pritjeje të ngrihen nga Greqia në Gjermani dhe për këtë do të japë ndihmesën e saj edhe UNHCR me ngritjen e 50. 000 qendrave në Greqi, ndërsa pjesa tjetër në vendet transit të Ballkanit.
Tre paragrafe nga pika e 13-të e këtij plani për menaxhimin e kufijve, drejtpërdrejt ndërlidhen me Maqedoninë. Ato parashikojnë përforcimin e bashkëpunimit kufitar midis Greqisë dhe Maqedonisë. Greqia, Maqedonia dhe Shqipëria duhet ta përforcojnë kontrollin e kufirit të jashtëm tokësor, Fronteks-i duhet t'i ndihmojë Greqisë në regjistrimin e refugjatëve dhe emigrantëve të cilët akoma nuk janë regjistruar atje. Dhe pika e fundit që lidhet me vendin tonë është "përkushtimi i përforcuar i UNHCR-së në kufirin midis Greqisë dhe Maqedonisë".
“Për të mbrojtur Shengenin është e domosdoshme të forcohet menaxhimi i kufijve mes Greqisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Serbisë në bashkëpunim me FRONTEX. Përveç kësaj, ne do të dërgojmë 400 policë në Slloveni brenda një jave. Politika e pranimit të emigrantëve pa regjistrim duhet të ndalet”- deklaroi presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Junker.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se plani për të cilin u ra dakord është një sprovë për Evropën.
“Evropa duhet të tregojë se është një kontinent i vlerave, një kontinent i solidaritetit dhe kjo është arsyeja pse unë e quaj një sprovë të madhe planin e miratuar. Së bashku me kandidatët për anëtarësim në BE, duhet të ndërmarrim hapa të rëndësishëm për të hedhur hapat e duhur për ta kaluar këtë test. Kjo është e rëndësishme për refugjatët, por gjithashtu për të garantuar bashkimin dhe stabilitetin e institucioneve evropiane”- tha kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Samiti për krizën e rëndë të refugjatëve vjen pas kërcënimeve nga Bullgaria, Rumania dhe Serbia se do t’i mbyllin kufijtë e tyre nëse vendet evropiane nuk i pranojnë refugjatët. Sipas Organizatës për Emigrim, më shumë se 680,000 refugjatë kanë kaluar në Evropë nga deti deri më tani këtë vit nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
