Zgjedhjet në Kroaci, në garë tre kandidatë shqiptarë

26.10.2015 14:53

Tetovari, Jonuz Aliti, kandidat për deputet në Parlamentin e Kroacisë, ka filluar sot fushatën parazgjedhore nga vendlindja, duke kërkuar mbështetjen e bashkatdhetarëve që janë me punë të përkohshme në Kroaci, me moton “Vota jonë–zëri ynë”...

Aliti kandidon si kandidat i pakicave kombëtare që jetojnë dhe veprojnë në Kroaci, duke kërkuar votën nga mërgata shqiptare, por edhe nga maqedonasit, boshnjakët dhe malazezët, pasi si përfaqësues i pakicave premton se do të merret kryesisht me problemet e punësimit dhe sa më tepër tërheqjen e fondeve për arsim, kulturë dhe sport në Kroaci.

“Me të vërtetë tani është një shans për shqiptarët, sepse situata në Kroaci për këto zgjedhje është shumë e mirë dhe situata është që deputeti shqiptar të merr një vend në Parlamentin e Kroacisë. Dhjetë për qind, apo më shumë, kemi njerëz dhe qytetarë të këtyre pakicave që kanë kryer fakultet dhe nuk kanë punë. Edhe për këta kam mënyrë për t’i ndihmuar, ne do të kemi një bazë ku do t’i marrim të gjitha të dhënat dhe njeriun që do të merret me këto punë në zyrën time, pra që do të informojë ku janë vendet e lira të punës për ekonomi, drejtësi, doktor etj”- deklaroi kandidati për deputet në Parlamentit kroat, Jonuz Aliti.      

Kandidati për Kuvendin e Kroacisë, Jonuz Aliti, njihet edhe si veprimtar dhe aktivist i çështjes kombëtare që nga vitet e 90-ta. Krahas Alitit, në këtë garë është përfshirë edhe tetovari tjetër, Idris Sulejmani, dhe kandidatja tjetër shqiptare, Ermina Lekas Perlaskaj.

Zgjedhjet parlamentare në Kroaci do të mbahen më tetë nëntor të këtij viti. (Visar Sadiki, TVM2)