Maqedoni

Kriza e refugjatëve, Ivanov: Kemi kapacitet vetëm për 2 mijë

26.10.2015 16:34

Nëse vendet e BE-së vendosin të mbyllin korridorin e refugjatëve, do të duhet të merren masa për ngadalësimin e fluksit të tyre...

Nëse vendet e BE-së vendosin të mbyllin korridorin e refugjatëve, do të duhet të merren masa për ngadalësimin e fluksit të tyre, sepse Maqedonia ka kapacitet që të përkujdeset për jo më shumë se 2 mijë  refugjatë dhe atë me ndihmën e UNHCR-së dhe të Kryqit të Kuq.
 
Këtë e potencoi presidenti, Gjorge Ivanov, në brifingun me gazetarët pas përfundimit të mini Samitit të dhjetë vendeve të BE-së me Maqedoninë, Serbinë dhe Shqipërinë.
 
“Aktualisht, edhe pse nuk ka ndihmë, Maqedonia arrin t’ia dalë, por mund të jetë vetëm vend transit në të cilin hyjnë e transitojnë dhe dalin emigrantët. Maqedonia nuk ka kapacitet të mbajë numër më të madh migrantësh në territorin e saj, nëse mbyllet korridori”- deklaroi kryetari i RM-së, Gjorge Ivanov.
 
Por, Ivanov ka thënë se Greqia nuk pranon që shërbimi kufitar evropian, Froteks, të vendoset në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, për të kontrolluar fluksin e refugjatëve.
 
Deri tani Maqedonia ka marrë vetëm 90 mijë euro mjete nga BE-ja, ndërsa brenda një muaji shpenzon rreth një milion euro vetëm për forcat e sigurisë. 
 
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Maqedoni janë futur gjithsej 2 mijë e 973 shtetas të huaj.
 
Sipas shtetësisë, pjesa më e madhe, siç njofton MPB, janë shtetasit e Sirisë, 1 mijë e 942, nga Afganistanit 549, Iraku 273 dhe një numër më i vogël nga vende tjera.
 
Ndërsa në periudhën prej 19 qershorit e deri më 26 tetor të këtij viti, 178 mijë e 902 shtetas të huaj kanë transituar nëpër Maqedoni, pjesa më e madhe e të cilëve vijnë nga Siria, të cilët kanë pasur si destinacione përfundimtare vendet e BE-së. 
 
GYLTENE SINANI