Maqedoni

Dehari arrin marrëveshje me kompaninë EVN, shkollat e Kërçovës prej sot me rrymë elektrike

26.10.2015 17:36

Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, sot ka arritur marrëveshje me kompaninë EVN...

Kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, sot ka arritur marrëveshje me kompaninë EVN, me të cilën është zgjidhur problemi i mungesës së rrymës elektrike në shkollat e qytetit, ndërsa borxhet e tyre i ka marrë përsipër Komuna e Kërçovës. 
 
Në kumtesën e shërbimit për informim të Komunës së Kërçovës, bëhet e ditur se kryetari, Fatmir Dehari, ka arritur marrëveshje me EVN-në dhe prej sot në të gjitha shkollat e qytetit është lëshuar rryma elektrike, e cila ka qenë e ndërprerë që nga fillimi i këtij viti shkollor. 
 
Situata e krijuar me mungesën e rrymës elektrike nëpër shkollat e qytetit të Kërçovës ka qenë brengë e madhe, jo vetëm për nxënësit dhe prindërit që mësojnë në shkollat “Sande Shterjoski”, “Kuzman J.Pitu” dhe “Dr.Vlladimir Polezhinoski”, por edhe për themeluesin e tyre, përkatësisht Komunën e Kërçovës. 
 
Përkitazi me këtë, kryetari i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, sot ka arritur marrëveshje me kompaninë EVN për ta lëshuar rrymën elektrike që të mundësohet zhvillimi i procesit të rregullt edukativo–arsimor.
 
Përpjekjet e shumta hasën në mirëkuptim dhe në të gjitha objektet e sipërpërmendura energjia elektrike do të funksionojë normalisht, ndërsa borxhet e pashlyera përsëri do t’i ndërmarrë Komuna e Kërçovës.
 
“Njëkohësisht bëjmë me dije se Komuna dhe këshillat e prindërve të shkollave do të drejtohen me kërkesë të përbashkët në Qeverinë e RM-së për të fituar derivate për ngrohje qendrore. Duhet theksuar se kërkesat e deritanishme drejtuar organit ekzekutiv nga ana e Komunës aspak nuk janë shqyrtuar në mbledhjet e mbajtura, por janë pezulluar me arsyetimin se nuk ka qenë i kompletuar kabineti qeveritar”- thuhet në kumtesën e Shërbimit për Informim të Komunës së Kërçovës.
 
SHABAN DALIPI