S’ka takim të përbashkët të Grupit punues, takime bilaterale deri në afrim të qëndrimeve
Me gjithë paralajmërimet se kriza politike mund të jetë shkaktare që vendi të humb rekomandimin për fillimin e bisedimeve një ditë para përmbylljes së raport-progresit...

Me gjithë paralajmërimet se kriza politike mund të jetë shkaktare që vendi të humb rekomandimin për fillimin e bisedimeve një ditë para përmbylljes së raport-progresit, partitë politike në vend nuk arritën marrëveshje për çështjet kontestuesi për implementimin e marrëveshjes së Përzhinës.
Ndërmjetësi në bisedime, Piter Vanhojt, nuk arriti t’i mbledh partitë e përfshira në bisedime.
Në mungesë të kryeministrit Gruevski, i cili po qëndron në Emiratet e Bashkuara Arabe, nuk pati as takim liderësh.
Takimi i fundit në nivel liderësh u mbajt të premten në mesnatë, ku u arrit përparim minimal.
Kjo është konfirmuar edhe nga ndërmjetësi, Piter Vanhojt, i cili ka thënë se me një vullnet të mirë mund që të arrihet kompromis për qeverinë teknike.
Ndërkohë që kanë vazhduar vetëm takimet bilaterale deri në zgjidhjen e dy pikave kryesore: kompletimin e Prokurorisë Speciale dhe emërimin e ministrave dhe zëvedësave në qeverinë teknike.
Qëndrimi i tillë është konfirmuar edhe nga vetë Vanhojt. Këto janë përpjekjet e fundit të faktorit ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes para se BE nesër të përmbyll raport-progresin për Maqedoninë.
Pika më kontestuese e bisedimeve është kompetenca e ministrave të ri dhe zëvendësave të tyre.
LSDM kërkon që ata të kenë kompetenca të plota, kundrejt qëndrimit të VMRO-së, të cilët kërkojnë që ministrat të kenë funksion teknik.
Përpos formimit të qeverisë teknike dhe kompletimit të Prokurorisë Speciale, palët do të duhet që sonte të merren vesh për ligjet anti-“bombë” dhe për mbrojtjen e informatorëve. Në rast se shkelet dhe ky afat, Marrëveshja e Përzhinës mund të shpallet si e dështuar, ndërkaq Maqedonia mund të humb rekomandimin.
Më pas mund të aktivizohen edhe sanksione të tjera, si listat e zeza dhe ngrirja e llogarive bankare të personave që ushtrojnë funksion politik në proceset politike të vendit.
Ndërkaq, me dështimin e marrëveshjes politike, LSDM ka paralajmëruar braktisjen e kuvendit dhe riaktivizimin e “bombave”.
Ndërsa jozyrtarisht paralajmërohet se VMRO do të veprojë jashtë institucioneve me organizmin e protestave në mbarë vendin.
MERAL ISMAILI
