Maqedoni
Buxheti, pranohet një amendament i PDSh-së
26.10.2015 17:46
Dita e nëntë e debatit për propozim-buxhetin në Komisionin për Financa dhe Buxhet është karakterizuar me akuza të rënda të PDSh-së drejtuar partisë shqiptare në pushtet, BDI, deputetët e së cilës parti nuk ishin prezent në debat...

Në debatin e sotëm është pranuar amendamenti i propozuar nga PDSh për sigurimin e mjeteve në shumë prej 5 milionë denarë për ndërtimin e stacionit për ujë për pije në fshatin Dobrodoll të Komunës së Vrapçishtës.
Ministri i Financave, Zoran Stavrevski, pranoi amendamentin me kërkesë që të ndryshohet pozicioni prej ku merren paratë.
“Qëllimi i amendamentit do të arrihet, do të sigurohen 5 milionë denarë, mjetet do të sigurohen si dotacione kapitale në Komunën Vrapçishtë. Ndryshimin e vetëm që unë e propozova, është pozicioni prej ku merren ato mjete, që besoj se për ju nuk është me rëndësi”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavrevski.
Ndërsa ky propozim i ministrit hasi në mirëkuptim të PDSh-së.
“E falënderoj ministrin që tregoi mirëkuptim për këtë, por do ta kisha lut ministrin që këto mjete që do t[i lëshohen Komunës së Vrapçishtit të jenë të dedikuara për ujësjellësin në Vrapçishtë”- tha Gazmend Aliu nga PDSh.
Ndërkohë, PDSh ka propozuar edhe amendamente tjera për investime në komunat shqiptare. Grupi parlamentar i PDSh-së, pas mospranimit të amendamentit për pastrimin e shtratit të lumit Shkumbin, lëshuan akuza të rënda drejtuar qeverisë, duke i akuzuar këta të fundit si fajtorë kryesorë për përmbytjet në Tetovë dhe rrethinë.
“Edhe një dëshmi se fatkeqësia që ndodhi në Tetovë dhe rrethinë nuk ishte thjesht natyrore, por ishte fatkeqësi politike, sepse të mos interesohesh dhe mos të kujdesesh që të ndash mjete për ndërtimin e digave dhe pastrimin e shtratit të lumit Shkumbin, që do të parandalonte një fatkeqësi të tillë, tregon qartazi se kjo qeveri është përgjegjësja kryesore për të gjitha fatkeqësitë që na ndodhin ne”- theksoi Bekim Fazliu nga PDSh.
Gjithashtu sot u miratua edhe amendamenti për ndërtimin e filtër-stacionit në lumin Topollkë të fshatit Jabollçishtë. Deri më tani në Komisionin për Financa dhe Buxhet janë propozuar 57 amendamente, ndërsa janë pranuar vetëm 5 prej tyre.
Gjithsej janë të dorëzuara 418 amendamente.
ERSAN PAJAZITI
