Botë
Tërmet në Afganistan dhe Pakistan, mbi 100 të vdekur, shumë objekte të rrënuara
26.10.2015 17:51
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 ballë ka goditur Afganistanin verior. Lëkundjet kanë qenë të forta sa që janë ndjerë në Pakistan, Nepal, Taxhikistan dhe në Indinë veriore...

Autoritetet flasin për dhjetëra të vdekur në Afganistan, ndërsa bilanci më i rëndë i viktimave është shënuar në Pakistan.
Ndërkaq, sipas të dhënave mediatike botërore, numri i viktimave ka arritur në 135, mes tyre dhe 12 nxënës të një shkolle.
Dëshmitarët okularë tregojnë se menjëherë toka ka filluar të dridhet frikshëm. Më pas ka qenë qetësi dhe pas pak sekondash është ndjerë edhe një goditje e dytë e fuqishme.
“Tërmeti ishte i fortë dhe po ashtu edhe lëkundjet ishin të forta. Të gjitha ndërtesat rrotull u rrënuan dhe xhamat u thyen. Me të vërtete ishte tërmet i fuqishëm”- tha një qytetar.
“Pas pushimit ishim duke kryer orën e mësimit. E ndjemë tërmetin. Menduam se do të ndalet, por pas disa sekondave dridhja e dytë rrëzoi në tokë të gjithë studentët. Disa studentë nuk mundën të dalin jashtë, sepse kemi vetëm një derë për të dalë jashtë”- theksoi një student.
“E kemi të rëndë të japim numrin e saktë. Disa persona që kanë marrë lëndime të lehta, pas marrjes së trajtimin të nevojshëm janë lëshuar nga spitali”- tha një zëdhënës spitali.
Në kryeqytetet e të tre vendeve të prekura, një sërë godinash kanë evakuuan me urgjencë qytetarë, ndërsa raportohen ndërprerje masive të linjave të komunikimit.
Kryeministri indian, Narendra Modi, ka shkruar në Twitter se ka urdhëruar përllogaritjen urgjente të dëmeve, e gjithashtu ka shprehur gatishmërinë për asistencë, duke përfshirë këtu edhe ndihmën për Afganistanin e Pakistanin, nëse i kërkohet.
Tërmeti i fundit në këtë rajon ka ndodhur në vitin 2005, në prill, në Nepal, ku mbetën të vdekur 9000 persona dhe mijëra shtëpi të dëmtuara.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
