Botë

Turqi, vriten 7 xhihadistë të ISIS dhe dy policë

26.10.2015 18:35

Dy oficerë policie dhe 7 militantë të “Shtetit Islamik” kanë mbetur të vdekur si pasojë e shkëmbim-zjarrit mes tyre, pasi policia turke mësyu rreth një duzinë shtëpish në juglindje të vendit...

Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësi i Qeverisë turke, Numan Kurtulmus. Përplasja ndodhi në periferinë e Kayapinarit, në qytetin Diyarbakir, të dominuar nga kurdët.

Ky incident shënon edhe të parin rast të konfliktit mes forcave të sigurisë së Turqisë dhe militantëve të dyshuar të “Shtetit Islamik” brenda kufijve të vendit, pasi përballjet e mëhershme kanë ndodhur gjithnjë përtej kufirit Turqi-Siri.

Pesë oficerë policie u plagosën, ndërsa 12 militantë xhihadistë u kapën rob, tha zëdhënësi qeveritar, Kurtulmus.

Njolla gjaku u gjetën në dy apartamente fqinje, të cilat-sipas policisë,-militantët i përdornin për të fshehur armatime. Vrima nga plumbat, por edhe shenja më të mëdha nga eksplozivët gjendeshin kudo në muret përreth, sipas dëshmitarëve që kanë folur për “Reuters”.

Ndërkohë që në shtëpitë e bastisura ka pasur edhe rroba dhe këpucë të hedhura. Bastisja e këtyre dy apartamenteve ishte pjesë e 17 operacioneve të njëkohshme të nisura kundër grupeve të “Shtetit Islamik” gjatë të cilave janë arrestuar 30 militantë të Is-is.

GAZMEND REXHEPI