Botë

SHBA, nëndrejtori i NSA-së: Po rritet rreziku i sulmeve kibernetike

27.10.2015 11:25

Nëndrejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Richard Ledgett ka paralajmëruar për rritjen e rrezikut nga sulmet kibernetike...

Në një intervistë për BBC, ai ka deklaruar se sulmet në fjalë kryen nga disa shtete.
 
“Nëse je i lidhur ne internet, atëherë je i cënueshëm nga piratë elektronikë të shteteve të caktuara”, ka thënë Ledgett. 
 
Numri dy i NSA-së ka nënvizuar se vendeve në fjalë u duhen vendosur disa vija të kuqe dhe duhet t’iu bëhet e ditur se ato nuk duhet të kalohen. 
 
Ai ka thënë gjithashtu se bordi drejtues i agjencisë ka diskutuar për një sërë ndryshimesh pas rrjedhjes së informacioneve nga ish-kontraktori Edward Snowden. 
 
Zoti Ledgett ka vijuar më tej duke thënë se, në hapësirën kibernetike agjencia e tij sheh një rritje të sulmeve me rrezikshmëri të lartë, duke iu referuar këtu sulmit ndaj “Sony” vitin e kaluar dhe kompanisë saudite “Aramco” në vitin 2012, nga shtete që sipas tij sa vjen e bëhen më agresive. 
 
“Barrierat mbrojtëse po bien dhe kur gjithëkush në botë sa vjen e lidhet më shumë me kompjuterët dhe sistemet e informacionit, cënueshmëritë rriten”, ka nënvizuar Ledgett. 
 
Ai ka sugjeruar më tej se, përmirësimi i sistemit mbrojtës dhe identifikimi i të dhënave sensitive është një mënyrë e rëndësishme për t’i bërë ballë rrezikut. 
 
“Por shtetet tona duhet gjithashtu të bëjnë më të qarta vijat e kuqe, të cilat nëse kalohen do të ketë pasoja”, ka shtuar Ledgett./Top Channel