Botë
Tërmeti, zgjerohen kërkimet, shkon në 300 numri i të vdekurve, 2000 të plagosur
27.10.2015 12:11
Operacionet e shpëtimit në zonat e largëta mes Afganistanit dhe Pakistanit po zgjerohen për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti 7.5-ballësh...

Mbi 300 persona janë konfirmuar të vdekur deri tani dhe rreth 2 mijë të tjerë të plagosur.
Në Pakistan deri tani janë konfirmuar 228 të vdekur, 50 të vdekur të konfirmuar ka në Afganistan, por shifrat mund të ndryshojnë për shkak se nga shumë zona të thella malore nuk ka asnjë informacion.
Skuadrat e shpëtimit janë dërguar në zonat e largëta malore ku efektet e lëkundjes u ndjenë më së shumti.
Burime nga zonat e prekura kanë deklaruar se, shumë banorë në këtë rajon, nga frika e një tërmeti të ri, e kaluan natën jashtë, në temperatura të akullta.
“Një person humbi jetën në këtë zonë. Një tullë ra mbi Ambareen Mughal, nënën e një këshilltari në lagjen tonë dhe ajo mbeti e vdekur në vend”- u shpreh banori i Pehshavarit, Rehmat Ulla.
“Unë po punoja në dyqan. Kur ra tërmeti unë dola nga dyqani, një ndërtesë u shemb sipër meje dhe të dyja këmbët më mbetën nën grumbujt e betonit. Kishte edhe dy burra të tjerë pranë meje, nuk e di se çfarë ndodhi me ta”- theksoi i lënduari, Gul Ahmed.
Presidenti afgan, Ashraf Ghani, në një fjalim televiziv u bëri thirrje banorëve që të japin ndihmën e tyre në operacionet e shpëtimit.
"Lus të gjithë afganët të ndihmojnë njëri-tjetrin në zonat e goditura. Lus të gjithë afganët të na japin informacione rreth viktimave të tjera eventualë dhe dëmet e shkaktuara në vendet e tyre, që të mund të ndihmojnë kudo ku ka nevojë”- deklaroi presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani.
Guerrilasit talebanë, që kontrollojnë një pjesë të provincës, u bënë thirrje agjencive të ndihmave që të mos tërhiqen nga operacionet e tyre, ndërsa kanë urdhëruar militantët që të ndihmojnë të prekurit.
LEUNORA KALIQI
