Botë
MSA-përfitime të mëdha ekonomike e politike, marrëveshja nuk e trajton Kosovën si shtet sovran
27.10.2015 14:05
MSA shënon marrëdhënien e parë kontraktore dhe mjetin e parë formal të dialogut politik mes Prishtinës e Brukselit...

Në aspektin teknik, ajo do të jetë e ngjashme me marrëveshjet e vendeve të tjera. Zbatimi i saj pritet t'i sjellë Kosovës prosperitet ekonomik, siguri ligjore, stabilitet politik, e një qeverisje llogaridhënëse për qytetarët.
Por, ajo dallon thelbësisht me MSA-të e deritanishme, pasi nuk e trajton Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur dhe nuk lë as ndonjë element për t'u trajtuar si e tillë, më vonë. Një tekst i tillë ka siguruar vendet anëtare, që nuk e njohin Kosovën, se qëndrimet e tyre rreth statusit nuk do të paragjykohen.
Prandaj, në të nuk ka zotime politike formale për integrimin e Kosovës në BE, ndryshe nga MSA-të me vendet tjera të rajonit, përfshire Shqipërinë, ku të gjitha, me përjashtim të Bosnjës, kanë bërë vendet me statusin kandidat për anëtarësim në Union.
Kjo justifikon dhe faktin pse marrëveshja nuk u nënshkrua nga përfaqësuesit e vendeve anëtare, por vetëm nga zyrtarët e institucioneve të BE-së dhe, ndryshe nga MSA-të e tjera, ajo nuk pritet të ratifikohet nga parlamentet nacionale të shteteve anëtare, por hyn në fuqi vetëm pas dhënies së pëlqimit nga Parlamenti Evropian, siç pritet gjatë pranverës 2016.
Me gjithë paqartësitë mbi procesin integrues të vendit, përderisa BE nuk e njeh ende Kosovën si shtet, dhe 5 shtetet anëtare, që nuk e njohin ende pavarësinë, zor se do ta mbështesnin atë, gjithsesi ky mbetet dokumenti më i rëndësishëm për raportet e Kosovës me Unionin, deri kur vendi të nënshkruaj traktatin e anëtarësimit në BE.
MIGENA GORENCA
