Botë

Zhvillim historik për Kosovën, nënshkruan MSA-në me Bashkimin Evropian; Mustafa: vuloset rruga e integrimit

27.10.2015 14:25

Kosova ka nënshkruar në Strasburg Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian...

Kryeministri, Isa Mustafa, firmosi dokumentin së bashku me përfaqësuesen e lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Federika Mogherini.
 
Mustafa, pas nënshkrimit të marrëveshjes, ka thënë se kjo ditë është ndër ditët më të rëndësishme pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
 
“Sot, vendi im, në mënyrë zyrtare ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, konfirmuam vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës drejt perspektivës eurointegruese dhe hapjen e një kapitulli të ri për Kosovën. Kjo marrëveshje vulos rrugën e Kosovës drejt BE-së, rrugë e cila nuk ka kthim, por i hapë mundësi Kosovës drejt reformimit, përshtatjes dhe implementimit të reformave në të gjithë sektorët. Është rrugë e forcimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit të së drejtës, rrugë e stabilitetit politik dhe e perspektivës ekonomike, rrugë e përfundimit të tranzicionit drejt një ekonomie funksionale të tregut, e forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe e zgjidhjeve politike”- deklaroi kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.    
 
Përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politika të sigurisë, njëherësh zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, tha se është bërë shumë punë nga të dyja anët dhe është mirë që më në fund u nënshkrua MSA-ja.
 
“Presim që kjo të hyjë në fuqi sa më parë që është e mundur. Pas kësaj do të ketë shumë të mira për njerëzit e Kosovës dhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin dhe integrimin e rajonit.Është një moment i mirë”- theksoi zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.
 
Komisioneri i BE-së për politika të fqinjësisë evropiane dhe negociata të zgjerimit, Johanes Hahn, tha se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës. 
 
“Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”- tha komisioneri i BE-së për negociatat e zgjerimit, Johanes Hahn.
 
Ai, po ashtu, e falënderoi përfaqësuesen e lartë, familjet dhe të gjithë të tjerët, të cilët punuan në muajt e kaluar, duke e vlerësuar si një arritje për të gjithë familjen evropiane.
 
“Është një deklaratë e fuqishme e Kosovës në rrugën drejt Bashkimit Evropian”- theksoi komisioneri Hahn.
 
REJHANE BUSHI-METAJ