Nurhan Izairi: Zgjidhje për problemin me deponinë në Haraçinë
Problemi me deponinë e egër në Komunën e Haraçinës do të zgjidhet shumë shpejtë, paralajmërojnë ministri i Ambientit, Nurhan Izairi, dhe kryetari i Haraçinës, Brahim Ajvazi...

Kjo çështje do të zgjidhet në bashkëpunim edhe me Komunën e Likovës, bëri të ditur ministri Izairi gjatë vizitës në Haraçinë.
“Komuna e Likovës është një hap përpara në zgjidhjen e këtij problemi, me mjetet IPA, kështu që ata do fillojnë, muajin e ardhshëm do të jetë i hapur ankandi për furnizim të të gjitha ndërmarrjeve të atij rajoni, përfshi edhe Komunën e Likovës, me makineri dhe mjetet tjera plotësuese, kështu që makineria për deponinë e Komunës së Likovos, e cila do të jetë e përkohshme, do të jetë në ndihmë edhe të Komunës së Haraçinës”- deklaroi ministri i Ambientit, Nurhan Izairi.
Problemi është i kamotshëm, thotë kryetari Ajvazi, por gjendja është bërë e padurueshme, pasi që deponia e egër ndodhet shumë afër varrezave të dëshmorëve dhe varrezave të fshatit.
“Me të vërtetë është bërë një grumbullim i deponisë së egër, e cila gjendet afër varrezave të dëshmorëve, varrezave të fshatit dhe kjo është një pasqyrë dhe ndotje e madhe për këtë ambient dhe për qytetarët. Pse mos të themi, ky është edhe ambient i kullosave”- tha kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
Por, krahas zgjidhjes së përkohshme, Izairi bëri të ditur se shumë shpejtë Ministria e Ambientit do të zgjedhë një kompani të huaj, e cila do të hartojë planin për menaxhim me mbeturina për katër rajonet e vendit, ku do të përfshihet edhe rajoni i Shkupit.
Projekti do të fillojë të realizohet në fund të vitit dhe do të zgjasë 18 muaj. Me këtë projekt parashihet që në të gjitha komunat e Shkupit të pastrohen deponitë e egra dhe vendcaktimi i transfero-stacioneve të deponive, si dhe do të bëhet studimi edhe i kapaciteteve të deponisë “Drislla”, që mbeturinat e këtyre komunave të transferohen në “Drislla”. Ministri Izairi ka vizituar edhe lagjen Hasanbeg të Shkupit, ku po punohet për rregullimin e kanalizimit.
“Sot dolëm të shohim këtë pjesë të rrugës, e cila paraprakisht nuk ishte paraparë në projekt, por ne e futëm më pas. Vendosja e këtij gypi parasheh mundësinë që edhe në të ardhmen të mund të kyçen edhe shumë familje tjera”- theksoi ministri i Ambientit, Nurhan Izairi.
Kanalizimi në rrugën “Alija Avdoviç” të Hasanbegut bëhet me investim të Ministrisë së Ambientit, që kapë vlerën prej rreth 3 milion denarësh. (Gyltene Sinani, TVM2)
