Maqedoni

Marrëveshja e Përzhinës, Garet: Zbatimi i marrëveshjes, zgjidhja më e mirë

27.10.2015 17:54

ShBA, BE dhe Britania e Madhe kërkojnë zbatim emergjent të Marrëveshjes politike të Përzhinës...

ShBA, BE dhe Britania e Madhe kërkojnë zbatim emergjent të Marrëveshjes politike të Përzhinës, në të kundërtën qendrat e vendosjes mund të rishqyrtojnë marrëdhëniet me Maqedoninë.
 
Qeveria të mbajë përgjegjësinë për krizën politike, VMRO-DPMNE të mos zvarrisë zbatimin e reformave, ndërsa LSDM të ndalojë publikimin e “bombave” politike. Kjo është thirrja e ambasadorëve drejtuar palëve nënshkruese të Marrëveshjes së dy qershorit dhe 15 korrikut. 
 
Qëndrimi i përbashkët i ambasadorëve vjen pas dështimit në takimin e liderëve në orët e para të së shtunës dhe numërimit në vend në takimet dypalëshe mes subjekteve politike, në dy ditët e fundit.
 
“Të premten kemi pasur takim me kryeministrin, Nikolla Gruevski, në të cilin takim e kemi treguar zhgënjimin tonë pse nuk është respektuar afati, 20 tetor, për këmbimin e ministrave. VMRO-DPMNE të demonstrojë angazhim për zbatimin e marrëveshjes, si dhe konstruktivitet e vullnet të mirë. E ftojmë Gruevskin që t`i jap kurajo ekipit të tij për të gjetur zgjidhje për çështjet e hapura”- deklaroi ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarls Garet.
 
Ambasadorët paraqitën qëndrimin e vendeve përkatëse se zbatimi i Marrëveshjes së Përzhinës është plani më i mirë për dalje nga kriza politike. Ata kërkuan që reformat të implementohen shpejtë, si parakusht për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme që do të pranoheshin nga pjesëmarrësit në garë dhe institucionet ndërkombëtare. 
 
“Qeveria duhet të tregojë përgjegjësi të veçantë dhe duhet të veprojë urgjentisht. Besojmë se bashkësia ndërkombëtare është thirrur për të bërë përpjekjen e saj”- kanë thënë ambasadorët. 
 
Konformë marrëveshjes politike, ambasadorët kërkojnë që prokurores speciale t`i mundësohen të gjitha kushtet për punë, ndërsa LSDM-ja të plotësojë obligimet e saj nga marrëveshja, që të mos vazhdojë me publikimin e bisedave të përgjuara.
 
Përfaqësuesit ndërkombëtar ftuan partitë politike që Marrëveshjen e Përzhinës ta vendosin mbi interesat e tyre. Dështimi i kësaj marrëveshje gjithsesi se do të reflektohet edhe në Raport progresin e KE-së, theksojnë ambasadorët.
 
SHPËTIM NUREDINI