Maqedoni
Raport-progresi do të publikohet pas një jave, Brukseli ia jep shansin e fundit Maqedonisë
27.10.2015 18:11
Publikimi i raport-progresit për Maqedoninë si duket nuk do të ndodhë as nesër, siç ishte paralajmëruar në prolongimin e fundit...

Burimet diplomatike nga Brukseli kanë bërë të ditur për TVM se publikimi i raporti-progresit do të bëhet atëherë kur do të vendos kryetari i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, duke mos precizuar asnjë datë.
Por, jozyrtarisht mësohet se KE nesër do ta përmbyll raportin për Maqedoninë dhe pritet të publikohet pas një jave. Analistët politik mendojnë se me këtë Brukseli për herë të fundit po i jep shans Maqedonisë që të mund t’i kompensojë afatet e humbura të Marrëveshjes së Përzhinës.
“Gjithsesi se kjo është bërë edhe për kthimin e kryeministrit, Nikolla Gruevski, nga udhëtimi zyrtar, por edhe për t’i dhënë një shans të fundit liderëve për implementimin e afatit të Përzhinës, si dhe për të mos ndodhur më e keqja, për ta humbur rekomandimin për fillimin e bisedimeve”- tha analisti politik, Albert Musliu.
Që nga 2 korriku, dita kur dhe u firmos marrëveshja nga ana e 4 liderëve politik, Nikolla Gruevskit, Zoran Zaevit, Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, e deri më tani u respektuan afatet për realizimin në kohë vetëm të tre pikave.
Zgjedhja e prokurores speciale, kthimi i LSDM-së në Kuvend më datën 1 shtator të këtij viti, si dhe mospublikimi i “bombave” politike nga ana e opozitës, këto janë pikat e vetme për të cilat liderët politik iu përmbajtën afateve të parapara me Protokollin e 12 korrikut të 2015-tës.
Sa i përket prokurores speciale, nuk mund të thuhet se plotësisht iu përmbajtën asaj që u nënshkrua, sepse ekipi i prokurores speciale, Katica Janeva, vazhdon të mbetet i përgjysmuar nga 14 në 7 prokurorë.
Mënyra e këtillë e lëvizjeve dhe veprimeve në skenën politike të vendit praktikisht nxiti edhe ndërprerjen e procedurave të mëtutjeshme, 7 prokurorët që kaluan Këshillin nuk u betuan.
Tani për tani prokurori special, përveç që është emëruar, ende nuk është në funksion.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
