Maqedoni

Buxheti, dita e fundit e shqyrtimit të amendamenteve

27.10.2015 18:14

Akuzat dhe fyerjet mes partive politike ishin prezente edhe gjatë ditës së fundit të debatit për propozim-buxhetin e vitit 2016...

Nga PDSh-ja opozitare thonë se buxheti është joproporcional dhe diskriminon shqiptarët në çdo fushë. Deputeti i PDSh-së, Bekim Fazliu, thekson se përderisa për rrugët në anën maqedonase janë paraparë mjete, shqiptarët anashkalohen edhe në këtë segment. 
 
“Partneri shqiptar që participon në qeveri gjithmonë ka përkrahur vetëm programin e VMRO-DMPNE-së, ndërsa për vete janë mjaftuar vetëm me disa thërrime të vogla që kanë të bëjnë me interesa dhe përfitime personale, ndërsa për shqiptarët shpërblimi i kësaj politike servile të BDI-së janë kësi lloj rrugë që janë një tallje dhe ofendim që u bëhet shqiptarëve”- deklaroi Bekim Fazliu nga PDSh.
Edhe përkundër akuzave të rënda munguan replikat nga partitë qeveritare. 
 
Ndërkohë, kryetari i Komisionit, Marijanço Nikollov, informoi se debati mbi shqyrtimin e amendamenteve do të zgjatë deri në orën 20:00, ndërsa theksoi se është e pamundur që të shqyrtohen të gjitha amendamentet e dorëzuara. Ata amendamente që nuk do të shqyrtohen do të inkorporohen në procesverbal.  
 
ERSAN PAJAZITI