Gjermania shqyrton dërgimin e policëve të saj në Slloveni

28.10.2015 12:11

Gjermania po e shqyrton mundësinë e dërgimit të oficerëve të saj policorë në Slloveni, për shkak të fluksit të madh të refugjatëve...

Kjo mundësi po shqyrtohet pas vendimit të fundit të samitit të liderëve evropianë të mbajtur të dielën, për vendosjen e 400 kufitarëve në kufirin slloven.

Ministria e Brendshme gjermane tha se forca policore, që e ka përgjegjësi ruajtjen e kufijve, po e shqyrton pjesëmarrjen e mundshme në këtë mision në Slloveni. Nuk është thënë se sa policë do të mund të vendoseshin, por theksohet se policia federale tashmë është e zënë me kontrollet kufitare në Gjermani dhe i ka përkujtuar përkushtimet ekzistuese për dërgimin e 50 oficerëve të tjerë për ta ndihmuar agjencinë kufitare të BE-së, Frontex, në Greqi.

Policia federale gjermane ndihmon në sigurimin e ambasadave të Gjermanisë në botë dhe për një kohë të gjatë ka marrë pjesë në misionet ndërkombëtare në vendet, siç janë Kosova dhe Afganistani.