Maqedoni
Kriza e refugjatëve–problem global, ekspertët kërkojnë strategji të përbashkëta
28.10.2015 15:29
Për t’u përballur me sukses me fluksin e madh të refugjatëve në Ballkan dhe Evropë, nevojitet strategji e qartë dhe veprime të përbashkëta nga të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit...

Ekspertët e sigurisë, të mbledhur në debatin e organizuar nga “Konrad Adenauer”, në temë “Kriza e refugjatëve dhe sfidat e sigurisë për Maqedoni dhe rajon”, thanë se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë fuqi të mjaftueshme të arrijnë vetë rezultate në këtë drejtim, andaj duhet përgatitur program dhe masa të përbashkëta për të menaxhuar sa më mirë krizën e refugjatëve dhe sigurinë e vendit.
“Krizat e karakterit global nuk munden të zgjidhen vetëm nga një vend, por kërkojnë qasje dhe koordinim serioz nga të gjitha vendet e prekura nga çështjet në fjalë. Qasjet e ndryshme ndaj këtij problemi nga disa vende të caktuara u reflektuan negativisht në të gjitha vendet transitore të refugjatëve”- deklaroi Oliver Baçanoviq nga Fakulteti i Sigurisë–Shkup.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përforcojnë kontaktet e tyre bilaterale dhe bashkë të vendosin një program me interes të përbashkët për çështjen e refugjatëve dhe për këtë të negociojnë me Bashkimin Evropian për ndihmë. Në rast se këto vende shkojnë me programe dhe negociata të ndara për këtë çështje, atëherë mendoj se nuk do të arrijmë rezultate, për arsye se asnjë vend i Ballkanit nuk ka kapacitet për t’u përballur i vetëm me fluksin e madh të refugjatëve”- theksoi Zhelimir Keshetoviq nga Fakulteti i Sigurisë–Beograd.
Ekspertët mendojnë se mbyllja e kufijve për refugjatët në disa vende të BE-së nuk shkon në favor të askujt, aq më tepër në menaxhimin e suksesshëm të emigrantëve.
Nga MPB thonë se duhet ngritur siguria e vendit në nivel sa më të lartë, duke përforcuar kështu mënyrën e regjistrimit të refugjatëve nëpër vendet ku transitojnë refugjatët.
“Është e nevojshme të bëhen shtesë edhe në daktilografimin dhe fotografimin e refugjatëve dhe gjithçka tjetër që do t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor t’i evidentojnë dhe zbulojnë terroristët në mesin e refugjatëve që transitojnë nëpërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor”- u shpreh Lidija Vellkovska nga MPB.
Prej fillimit të këtij viti në Maqedoni kanë hyrë më shumë se 424 mijë refugjatë, ndërsa numri i tyre është në rritje e sipër.
REXHEP QAMILI
